RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëria përfshihet nga flakët: 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 ende aktive
Ndër vatrat më problematike është ajo në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë e Elbasanit.
Shqipëria përfshihet nga flakët: 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 ende aktive
Shqipëria përfshihet nga flakët: 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 ende aktive / ATA
5 Korrik 2025

Në vetëm 24 orët e fundit, në Shqipëri janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes informoi se vatra janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Tiranës, Vorës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Poliçanit, Hasit, Vaut të Dejës, Matit dhe Mirditës.

Ndër vatrat më problematike është ajo në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë e Elbasanit. 

Gjatë ditës së djeshme u ndërmorën masa për hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, ndërkohë që një grup ekspertësh ishte në terren për t'i kryer matjet e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të zjarrit.

Në bashkinë Finiq, situata në vatrat ndërmjet fshatit Grazhdan (njësia administrative Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër) paraqitet më e qetë, me një ulje të intensitetit të flakëve. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me tre efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

Në bashkinë e Tiranës, në fshatin Bulticë (njësia Vaqarr), zjarri është përhapur në një sipërfaqe të mbuluar me shkurre dhe ferra. Terreni i vështirë pengon kalimin e mjeteve zjarrfikëse. Sot, ndërhyrja do të vijojë me forca operacionale dhe mbështetjen nga ajri përmes helikopterit Cougar.

Në bashkinë e Hasit, vatra aktive në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyll pishe është bërë e vështirë për ta kontrolluar pasi era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen, megjithatë puna për kontrollin e flakëve vijon.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, dhe në dy raste janë shënuar dëme materiale.

Në bashkinë Fier, në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari është transportuar në Spitalin Rajonal, ndërsa banesa ka pësuar dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.

Në bashkinë e Vorës, në fshatin Fushë Prezë, një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1.600 dëngjeve me bar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan, 21 automjete zjarrfikëse, 190 forca operacionale, 35 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse ushtarake, 4 kamionë vetëshkarkues, 1 traktor me zinxhirë, 1 helikopter Cougar, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit, 29 automjete të firmave private.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara maksimalisht në koordinimin dhe mbështetjen e të gjitha operacioneve për menaxhimin e emergjencave nga zjarret.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje lokale të dobëta në disa qarqe. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I lartë” pothuajse në të gjitha qarqet. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I moderuar”, me rrezik lokal “Të lartë” në zona të caktuara (Durrës – Jug, Korçë – Qendër, Vlorë – VeriQendër).

Ministria e Mbrojtjesa bën edhe një  thirrje për qytetarët në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezikshmëri të shtuar për zjarre, për kujdes të shtuar dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr në mjedis.

“Njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse në rast të konstatimit të flakëve apo tymit. Siguria dhe bashkëpunimi juaj janë thelbësore për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën”, thekson MM.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us