Kompania turke e industrisë së mbrojtjes Repkon do të ndërtojë një fabrikë për mbushjen e municioneve të artilerisë 155 milimetërshe, në kuadër të një marrëveshjeje të re me firmën norvegjeze Nammo, për të forcuar mbrojtjen e vendeve skandinave.
Bashkëpunimi i Mbrojtjes Nordike (NORDEFCO), që përfshin Danimarkën, Finlandën, Islandën, Norvegjinë dhe Suedinë, ka për qëllim të zhvillojë zgjidhje të përbashkëta dhe efikase për të forcuar mbrojtjen kombëtare të vendeve nordike.
Në këtë kuadër, qeveria daneze ka nënshkruar një marrëveshje me Nammo për të rifilluar prodhimin kombëtar të municioneve në uzinën Elling, dhe Nammo, më pas ka firmosur kontratë me Repkon.
Sipas marrëveshjes, Repkon do të krijojë një impiant të plotë për të mbushur municionet e artilerisë 155 mm me lëndë plasëse TNT, IMX-101 dhe IMX-104, si dhe me eksplozivë të tjerë modernë dhe të gjeneratës së ardhshme me fuqi të lartë shkatërruese.
Fabrika do të funksionojë me forcë punëtore minimale dhe automatizim maksimal.
Repkon është një nga kompanitë e rralla lider në industrinë e mbushjes së artilerisë, me kontrata të rëndësishme në ShBA, Gjermani, Spanjë, Ukrainë, Pakistan dhe Azerbajxhan, ku ka ndërtuar linja për prodhimin e municioneve.
Kompania turke gjithashtu ka blerë firmën e mbrojtjes Bowas, që operon në Austri, Itali dhe Zvicër, për shkak të përvojës së saj në projektimin, prodhimin dhe instalimin e pajisjeve për lëndë plasëse dhe materiale të papërpunuara.
Kjo ekspertizë e Bowas në eksplozivët ushtarakë e ka forcuar më tej kapacitetin e Repkon për të përmbushur kërkesat në rritje të klientëve ndër vite.
Ndërkohë, Nammo, me qendër në Norvegji, është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë për municione të specializuara, armë të mbajtura në shpatull dhe motorë raketorë. Kompania ka 3.700 punonjës, 27 fabrika prodhimi dhe operon në 11 vende.