Qeveria britanike do ta klasifikojë për herë të parë një grup protestues jo i dhunshëm, Palestine Action, si organizatë terroriste, pasi një sfidë e minutës së fundit për ta pezulluar ndalimin e grupit sipas ligjeve kundër terrorizmit dështoi të premten në Gjykatën e Lartë.
Duke filluar nga dita e shtunë, çdo person që është anëtar i Palestine Action apo që shfaq mbështetje për të, do të kryejë një vepër penale.
Grupi është i njohur për fushatat e tij të drejtpërdrejta kundër fabrikave të armëve izraelite dhe zinxhirit të furnizimit të tyre në Britani. Ai është grupi i parë protestues që ndalohet në bazë të Aktit për Terrorizmin në Britani.
Avokatët që përfaqësojnë Huda Ammori, bashkëthemeluese e grupit, kërkuan nga gjykata që të ndalonte hyrjen në fuqi të ndalimit duke kërkuar një masë të përkohshme derisa të shqyrtohej më tej në një seancë gjyqësore.
Megjithatë, gjyqtari Martin Chamberlain refuzoi kërkesën në seancën e së premtes.
“Kjo është hera e parë në historinë tonë që një grup protestues që përdor veprim të drejtpërdrejtë dhe mosbindje civile, pa predikim për dhunë, klasifikohet si terrorist”, tha avokati Raza Husain KC në gjykatë.
Ai shtoi se klientja e tij është “frymëzuar” nga një traditë e gjatë proteste paqësore në Britani, “nga sufraxhetet, tek aktivistët kundër aparteidit e deri te protestuesit kundër luftës në Irak.”
Ekspertë të OKB-së, organizata për të drejtat civile, figura të botës së kulturës dhe qindra juristë e kanë dënuar ndalimin si një masë drakoniane.
Ata paralajmërojnë se vendimi krijon një precedent të rrezikshëm duke barazuar protestën me terrorizmin.
Palestine Action tha se është duke kërkuar një apel urgjent për të ndalur atë që e quan “makth distopik që kriminalizon mijëra njerëz brenda natës.”
Një tjetër seancë gjyqësore është planifikuar më 21 korrik, ku Palestine Action do të kërkojë leje për të nisur një rishqyrtim gjyqësor me qëllim rrëzimin e urdhrit.
Nëse rishqyrtimi dështon, anëtarësimi apo kërkimi i mbështetjes për grupin, i cili proteston kundër gjenocidit izraelit në Gaza, do të dënohet me deri në 14 vjet burgim.