Prokuroria e Bosnjë Hercegovinës ka hequr të premten urdhërarrestin e lëshuar për Millorad Dodik, presidentin e entitetit Republika Sërpska (RS), i cili ishte akuzuar për “kërcënim ndaj rendit kushtetues”, sipas raportimeve të mediave lokale.
Dodik u paraqit në Prokurori i shoqëruar nga avokati i tij, ku dha një deklaratë para zyrtarëve hetues.
Pas kësaj, urdhri për arrest dhe ndalim u shfuqizuan, por Prokuroria e paralajmëroi se në rast të përsëritjes së retorikës separatiste, urdhrarresti do të rikthehet.
Çfarë e shkaktoi tensionin në Bosnjë Hercegovinë?
Gjykata e Bosnjë Hercegovinës kishte dënuar më herët Millorad Dodikun me një vit burg dhe ndalim politik për gjashtë vjet, për mosrespektim të vendimeve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR).
Menjëherë pas vendimit gjyqësor, Kuvendi Kombëtar i RS-së (NSRS) miratoi vendime që ndalonin funksionimin e institucioneve shtetërore boshnjake, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Prokuroria e Shtetit, Gjykata dhe Agjencia e Hetimeve dhe Mbrojtjes në territorin e RS.
Këto vendime u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë Hercegovinës.
Pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Dodik vazhdoi me agjendën separatiste, duke njoftuar se në Kuvendin e RS do të diskutohej një “kushtetutë e re”, ku do të përfshiheshin pika të diskutueshme si “e drejta për vetëvendosje” dhe “formimi i një ushtrie të RS-së.”
Për këtë arsye, Prokuroria lëshoi një urdhërarrest të brendshëm ndaj Dodikut, duke e akuzuar për kërcënim të rendit kushtetues të vendit.