RAJONI
2 minuta leximi
Në Kosovë protestohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve
Për pesë vjet në Kosovë, në vendin e punës kanë vdekur 97 punëtorë.
Në Kosovë protestohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve
Në Kosovë protestohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve / Kosova Press
1 Maj 2025

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sindikata e Re e Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Qendra Sociale “Përpjekja”, Kolektivi Feminist dhe aktivistë të pavarur, në bashkëpunim me sindikata të tjera të punëtorëve kanë mbajtur një marsh protestues në sheshet e Prishtinës për të drejtat e punëtorëve.

Me mesazhet “Barazi, Punë e Jetë të Dinjitetshme”, “Për shoqëri të lirë dhe të barabartë”, protesta kishte për qëllim adresimin e kushteve të pafavorshme të punëtorëve, të drejtat e tyre me ligj dhe inflacionin në vend.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, theksoi se punëtorët e sektorit energjetik përballen me sfida të shumta dhe arsyeja për protestë është e domosdoshme.

“Kemi për çka të bëjmë protestë. Ne e kemi inflacionin e kohëve të fundit që lidhet me çmimin e energjisë elektrike dhe produktet varëse e që punëtorët e KEK-ut punojnë, sfidojnë dhe rrezikojnë jetë dhe vdesin 1 për qind të stafit si rezultat i sëmundjeve profesionale që ne dyshojmë që marrin gjatë procesit të punës”, theksoi Llumnica.

Ai tha se pagat e punëtorëve të sektorit të energjisë duhet të rriten, si dhe shtoi se ka nevojë për një gjykatë të punës.

Anita Nitaj nga Kolektivi Feminist foli për barrën shtesë që gratë mbajnë në shoqëri, duke e theksuar pabarazinë gjinore dhe pasigurinë ekonomike me të cilën ato përballen çdo ditë.

“Gratë në këtë shoqëri punojnë dy herë, një herë në vendin e punës dhe pastaj në shtëpi, ku puna e tyre nuk njihet, nuk paguhet, nuk respektohet. Është një punë e heshtur, që mbahet mbi supet e tyre si një detyrë e natyrshme. Por, sa herë që diskutohet ekonomia, gratë as nuk përmenden. Ndërkohë, paga minimale në Kosovë nuk është për të jetuar. Është për mbijetesë”, theksoi ajo.

Gjatë protestës u bë e ditur gjithashtu edhe për rrethanat ku vihet në rrezik jeta e punëtorëve në vendin e punës, ku u tha se për pesë vjet në Kosovë në vendin e punës kanë vdekur 97 punëtorë.

Kjo nuk ishte protesta e vetme me rastin e 1 Majit, pak më herët protestuan edhe nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us