Presidenti i entitetit të Bosnjës e Hercegovinës - Republika Sërpska, Millorad Dodik, ka deklaruar se shërbimi britanik i inteligjencës po “gërmon si në Republikën Sërpska ashtu edhe në Serbi”.
Dodik foli në Gradi në aktivitetin për të përkujtuar 30-vjetorin e “vuajtjeve të serbëve nga Sllavonia Perëndimore në operacionin kroat Bljesak” më 1 maj të vitit 1995.
Duke lëshuar kritika të ashpra ndaj shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, pjesë e të cilit është edhe entiteti Republika Sërpska, Dodik tha se tani është koha që serbët të thonë “na ktheni marrëveshjen e Dejtonit dhe ne do të qëndrojmë në Bosnjë e Hercegovinë, përndryshe nuk kanë asnjë mundësi që pasardhësit e tyre të jetojnë të lirë në Bosnjë e Hercegovinë”.
“Që të mos na ndodhin përsëri Sllavonia, Jesenovaci, Brodi dhe Drina”, theksoi Dodik.
Ai pohoi se “rreziku është i madh”.
“Kjo është arsyeja pse po na largojnë. Nëse mendoni se Dodik nuk ka asgjë më të mirë për të bërë, gaboheni rëndë. Ne sapo kemi marrë pak pushim, sepse struktura që do të na kishte pastruar tashmë nuk fitoi në Amerikë. Ata kanë bërë gjithçka në mënyrë sistematike për 30 vjet”, tha Dodik.
Ai gjithashtu tha se nuk po udhëheq një fushatë politike, por një fushatë kombëtare dhe shtetërore. Ai i bëri thirrje opozitës të “diskutojë mbi thelbin”.
“Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan në një nivel të përbashkët. Kjo ishte një mundësi serioze për ta larguar Republikën Sërpska nga Bosnjë e Hercegovina që të mos tradhtojnë. Ata duhet të kishin heshtur, por u bënë proaktiv kundër Republikës Sërpskas dhe autoriteteve të saj”, tha Dodik.
Dodik akuzon për ndikim të shërbimeve të inteligjencës
“PDP-ja është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shërbimit të inteligjencës britanike, i cili tani po gërmon si në Republikën Sërpska ashtu edhe në Serbi. Nëse dikush mendon se Republika nuk do ta trajtojë këtë, gabohet thellësisht”, tha Dodik.
Ai theksoi se nuk dëshiron që “askush këtu ta ndiejë luftën”.
“Ne po luftojmë për këtë copë tokë, Sërpska është e bukur, Serbia gjithashtu do të stabilizohet, presidenti i së cilës Aleksandar Vuçiq i ka mundësuar Republikës Sërpskas të ketë zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe të shpëtojë nga narrativa se BE-ja është e vetmja alternativë”, tha Dodik.
Ai gjithashtu tha se e dëshiron BE-në, por në të “Republika Sërpska të jetë e dukshme”.
Kriza në Bosnjë e Hercegovinë
Kriza politike pasoi pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës në fund të muajit shkurt dënoi kreun e entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së presidentit të entitetit për “mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjë e Hercegovinës”.
Më pas, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës lëshoi një urdhër-arrest ndaj Dodikut, si dhe kryeministrit të Republikës Sërpskas, Radovan Vishkoviq dhe kreun e Asamblesë Kombëtare të entitetit, Nenad Stevandiq, pasi asambleja e miratoi dhe Dodik e nënshkroi një dekret që shpall ligjin që ndalon funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe të sigurisë në entitetin Republika Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës.
Më herët, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës pranoi propozimin e Prokurorisë së Shtetit për lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar ndaj Dodikut dhe Stevandiqit, të cilët akuzohen për veprën penale “sulm ndaj rendit kushtetues”. Interpoli nuk lëshoi urdhërarresti ndërkombëtar dhe Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës kërkoi një rishikim të këtij vendimi.
Ndërkohë, Dodik disa herë ka kaluar kufirin e Bosnjë e Hercegovinës për të udhëtuar jashtë vendit.