Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t'i pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga ShBA-ja, pasi kjo e fundit vendosi tarifën 10 për qind.
Osmani në një postim në X, ka thënë se kjo kërkesë bëhet për ta dërguar mesazhin se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me ShBA-në.
“Jam e bindur se ky veprim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen afatgjatë ekonomike”, ka shkruar Osmani.
E ndaj kësaj kërkese ka reaguar ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati i cili tha se Qeveria tashmë kanë qenë duke e shqyrtuar këtë temë.
Murati në një postim në Facebook ka shkruar se kërkesa e Osmanit në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në ora 17:39, ndërsa ishte bërë publike në platformën X tre minuta më vonë - 17:42.
Ai ka thënë se kërkesën e Osmanit për heqje të tarifave ndaj produkteve amerikane e ka kuptuar nga mediat.