BIZNES & TEKNOLOGJI
2 minuta leximi
Amazon do të zvogëlojë numrin e punonjësve me përhapjen e përdorimit të IA-së
"Do të na duhen më pak njerëz për të bërë disa nga punët që bëjmë sot", deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë Amazon, Andy Jassy.
Amazon do të zvogëlojë numrin e punonjësve me përhapjen e përdorimit të IA-së
Amazon do të zvogëlojë numrin e punonjësve me përhapjen e përdorimit të IA-së / Reuters
14 orë më parë

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Amazon, Andy Jassy tha se numri i punonjësve do të ulet në vitet e ardhshme, me përhapjen e përdorimit të Inteligjencës Artificiale (IA) në të gjithë kompaninë.

Sipas lajmit të BBC-së, Jassy bëri thirrje për vëmendje më të madhe ndaj IA-së në një shënim informues që u dërgoi punonjësve ndërsa deklaroi se teknologjia do të sjellë me vete "rritje të produktivitetit" dhe se do të nevojiten më pak punonjës për disa vende pune.

"Do të na duhen më pak njerëz për të bërë disa nga punët që bëjmë sot", deklaroi Jassy i cili shtoi se ky transformim do të çojë në ulje të numrit të punonjësve të korporatës së Amazon-it brenda pak vitesh.

Në shënimin informues Jassy tha: "Këto teknologji nuk janë ndërtuar ende plotësisht, por po vijnë shumë shpejt. Punonjësit tanë që i përshtaten këtij transformimi do të jenë në pozicion të fortë brenda kompanisë".

Sipas të dhënave të kompanisë, më shumë se gjysmë milioni shitës që shesin në platformat e Amazon-it përdorin mjetet e IA-së të kompanisë për të krijuar përshkrime dhe promovime produktesh.

IA po ndryshon ekuilibrin e fuqisë punëtore

Ashtu si shumë kompani teknologjike, edhe Amazon ka bërë investime të mëdha në inteligjencën artificiale kohët e fundit dhe këto përparime kanë sjellë shqetësime se ato do të shkaktojnë humbje vendesh pune, veçanërisht në mesin e punonjësve të zyrave.

Amazon, e cila punëson më shumë se 1,5 milion njerëz në të gjithë botën deri në fund të vitit 2023, ka afërsisht 350 mijë njerëz që punojnë në zyra. Kompania ka më shumë punonjës në ShBA dhe është punëdhënësi i dytë më i madh në vend pas Walmart-it.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale "Anthropic", Dario Amodei paralajmëroi muajin e kaluar se teknologjia mund të "eliminojë gjysmën e vendeve të punës në nivel fillestar të punonjësve me jakë të bardhë".


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us