Ka dështuar për të 12-tën herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës në mungesë të votave të mjaftueshme.
Për të tretën herë me radhë, seanca nisi me votimin për krijimin e një Komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së Kryeparlamentarit. Por, shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 113 deputetë të pranishëm në sallë, 56 deputetë votuan pro këtij komisioni, një deputet ishte kundër dhe nuk kishte asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se Kushtetuta i obligon deputetët që të votojnë, por jo edhe ta bojkotojnë procesin.
Ai tha se në mungesë të votave të mjaftueshme, seanca shtyhet për 9 maj nga ora 10:00.
Reagojnë deputetët e minoriteteve për propozimin "qeveri vetëm me parti shqiptare"
Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se po vazhdon abuzimi i të drejtës së partisë së parë për ta zgjedhur kandidatin për Kryeparlamentar.
Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shtetin peng dhe po mban peng formimin e institucioneve të reja.
Lëvizja Vetëvendosje këtë javë i dërgoi ftesë për koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por ajo e refuzoi këtë ftesë, duke propozuar një qeveri tranzitore me të gjitha partitë shqiptare, deri në kohën kur do të zgjidhet edhe presidenti i ri i vendit. Pritet që sot të bëhet i qartë qëndrimi i të gjitha partive.
Ndërkohë, për këtë ftesë, reaguan deputetët e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, Elbert Krasniqi, Fikrim Damka, Emilja Rexhepi dhe Nenad Rashiq, të cilët thanë se qasja e LDK-së për një qeveri vetëm me parti shqiptare është përjashtuese dhe jo në frymën multietnike të Kosovës.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.