RAJONI
2 minuta leximi
Millatoviq në Zvicër: Ndryshimet në fuqinë globale po formësojnë rolin e ri të Ballkanit Perëndimor
Presidenti Millatoviq deklaroi se Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në BE, synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, gjë që, siç theksoi ai, do të përbënte një shtysë të fuqishme për gjithë rajonin.
Millatoviq në Zvicër: Ndryshimet në fuqinë globale po formësojnë rolin e ri të Ballkanit Perëndimor
Millatoviq në Zvicër: Ndryshimet në fuqinë globale po formësojnë rolin e ri të Ballkanit Perëndimor / AA
7 Maj 2025

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke folur në një simpozium në St. Gallen të Zvicrës, tha se ndryshimet në fuqinë globale po formësojnë një rol të ri për Ballkanin Perëndimor dhe Malin e Zi.

Në fjalimin e tij me titull “Si ndikojnë ndryshimet në fuqinë globale mbi Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor”, Milatoviq theksoi se bota e sotme po transformohet me shpejtësi drejt një rendi multipolar, me ngritjen e Kinës, ripozicionimin e Rusisë dhe dallime gjithnjë e më të theksuara brenda Perëndimit tradicional.

Duke folur për rolin e Ballkanit Perëndimor, ai theksoi se rajoni, për shkak të pozicionit të tij gjeopolitik dhe lidhjeve historike, mbetet një hapësirë e garës strategjike midis fuqive të mëdha. Ai veçoi praninë ekonomike të Kinës përmes projekteve infrastrukturore dhe ndikimin e Rusisë, ndërsa tha se lufta në Ukrainë ka nxitur BE-në që zgjerimin ta shohë edhe si çështje të sigurisë evropiane.

Millatoviq deklaroi se Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në BE, ka për qëllim të bëhet anëtari i 28-të i Unionit deri në vitin 2028, gjë që, siç theksoi, do të ishte një shtysë e fuqishme për të gjithë rajonin.

Ai gjithashtu paralajmëroi për thellimin e dallimeve brenda Perëndimit, veçanërisht në qasjen ndaj tregtisë së lirë dhe mënyrës se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë, duke nënvizuar se po ndërtohet një arkitekturë e re e sigurisë në Evropë, e cila kërkon më shumë autonomi strategjike.

Duke folur për trendet globale, Milatoviq theksoi rolin gjithnjë e më të madh të fuqive të reja rajonale si India, Brazili dhe Türkiye, si dhe të organizatave si BRICS-i, në formësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai theksoi edhe faktorët që, sipas të gjitha gjasave, do të ndikojnë në marrëdhëniet globale në vitet e ardhshme – nga suksesi i negociatave për paqen në Ukrainë, te marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kinës, qëndrimi i ShBA-së ndaj izolacionizmit, rritja e së djathtës politike në Evropë dhe sfidat e reja të sigurisë në Lindjen e Mesme.

“Në dritën e këtyre përmbysjeve globale, Mali i Zi duhet të ndërtojë në mënyrë strategjike identitetin e vet ndërkombëtar dhe të promovojë fuqishëm integrimin evropian dhe rajonal. Besoj se ka ardhur koha që politika ballkanike të bëhet e mërzitshme – që do të thotë e qëndrueshme, e parashikueshme dhe konstruktive,” përfundoi presidenti Millatoviq.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us