RAJONI
4 minuta leximi
Në Bruksel u hap ekspozita kushtuar gjenocidit në Srebrenicë
“Pavarësisht synimit monstruoz për të zhdukur popullin boshnjak në Srebrenicë, kujtimi për të vrarët jeton përgjithmonë – në mendjet dhe kujtimet tona – ashtu siç quhet edhe kjo ekspozitë,” tha komisionerja e BE-së për punët e jashtme.
Në Bruksel u hap ekspozita kushtuar gjenocidit në Srebrenicë
Në Bruksel u hap ekspozita kushtuar gjenocidit në Srebrenicë / AA
26 Qershor 2025

Ekspozita "MEMENTO: fragmente të gjenocidit të Srebrenicës" u hap mbrëmjen e së mërkurës në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Pavarësisht synimit monstruoz për të zhdukur popullin boshnjak në Srebrenicë, kujtimi për të vrarët jeton përgjithmonë, në mendjet dhe kujtimet tona – ashtu siç quhet edhe kjo ekspozitë,” tha Kallas, duke shprehur falënderime për organizatorët.

“Ajo që përpiqet të na mësojë kjo ekspozitë është se kujtimi për krimet nuk është një ritual vjetor. Kujtimi është një thirrje e përditshme për t’u përballur me urrejtjen, intolerancën dhe padrejtësinë. Vetëm kështu shkatërrojmë rrënjët e krimit,” shtoi ajo.

MEMENTO paraqet një seri tregimesh të fuqishme personale, të rrëfyera përmes objekteve të gjetura në varreza masive dhe në arkiva personale. Pranë çdo objekti ndodhet portreti dhe dëshmia e një të mbijetuari ose anëtari të familjes që ka humbur të dashurit në gjenocid. Së bashku, ato ofrojnë një perspektivë thellësisht personale për ngjarjet e korrikut 1995. Ekspozita është organizuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në bashkëpunim me Qendrën për Kërkime Post-konfliktuale (PCRC) nga Sarajeva, Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, dhe Programin e Informimit të Komuniteteve të Prekura nga Konflikti në Hagë.

“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë emocionet tona, veçanërisht përballë të keqes së pamëshirshme. Prandaj pamjet në këtë ekspozitë janë kaq tronditëse. Një orë xhepi që tregon momentin kur koha ndaloi për pronarin e saj. Pantallonat e shkurtra të një adoleshenti që nuk do të vishen kurrë më. Dëshmia e një gruaje që edhe pas tridhjetë vitesh kërkon djalin e saj më të madh. Dua që të gjithë të kujtojmë çfarë ndodhi në Srebrenicë,” tha Kallas gjatë hapjes së ekspozitës.

Ajo kujtoi edhe vizitën e saj të fundit në Bosnje e Hercegovinë:
“E vizitova Sarajevën në prill të këtij viti dhe të gjitha mesazhet e mia ishin për veprim konkret. Fola për përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës. Bosnja dhe Hercegovina është pjesë e familjes sonë evropiane.”

Velma Šarić, themeluese e Qendrës për Kërkime Post-konfliktuale (PCRC), theksoi se kjo ekspozitë sjell rrëfime të fuqishme për gjenocidin dhe mbijetesën.

“Ajo përfshin objekte personale të familjeve të viktimave, të gjetura në varreza masive në lindje të Bosnjës dhe përgjatë rrugës së njohur si ‘Marshi i Vdekjes’. Përmes këtyre rrëfimeve nderojmë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë që u vranë në gjenocidin e Srebrenicës. Kjo është një kujtesë e fuqishme për udhëtimin e pandërprerë të Bosnjës drejt paqes dhe drejtësisë. Me punën tonë shpresojmë të frymëzojmë të rinjtë të mësojnë nga e kaluara, të promovojnë paqen dhe të kundërshtojnë urrejtjen dhe dhunën – tani dhe në të ardhmen,” shtoi ajo.

Mirela Osmanović, nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, kujtoi se “kanë kaluar 30 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës.”

“Për shumëkënd, kjo është histori e largët. Por për ne, për të mbijetuarit, për familjet e viktimave, për ata që punojnë në Qendrën Përkujtimore, gjenocidi është vazhdimisht i pranishëm. Jo nga dëshira për të mbetur në të kaluarën, por sepse drejtësia dhe dinjiteti nuk janë gjëra që i varrosim e vazhdojmë përpara. Ato ndërtohen me kohë, me të vërtetën dhe me përkushtim,” tha ajo.

Osmanović shtoi se “në një kohë kur mohimi po bëhet gjithnjë e më i zëshëm, kur kriminelët e luftës jo vetëm që mbrohen por edhe madhërohen, kur muralet zëvendësojnë aktgjykimet dhe heshtja përballet me gjuhën e urrejtjes, kjo ekspozitë shërben si një kujtesë se e vërteta nuk është çështje opinioni, por provash dhe përgjegjësie morale”.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us