BOTA
2 minuta leximi
Khamenei kërcënon me “çmim të lartë” nëse Izraeli rinis sulmet
“Entiteti sionist duhet ta dijë se çdo agresion kundër Republikës Islamike të Iranit do të ketë një çmim të lartë”, tha Khamenei.
Khamenei kërcënon me “çmim të lartë” nëse Izraeli rinis sulmet
Khamenei kërcënon me “çmim të lartë” nëse Izraeli rinis sulmet / Reuters
26 Qershor 2025

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi të enjten se çdo sulm i ri nga Izraeli ndaj vendit të tij do të ketë “një çmim të lartë”.

“Entiteti sionist (Izraeli) duhet ta dijë se çdo agresion kundër Republikës Islamike të Iranit do të ketë një çmim të lartë”, shkroi Khamenei në gjuhën hebraike në rrjetin X.

Ky paralajmërim vjen pak kohë pasi Khamenei kishte kërcënuar më herët edhe me sulme ndaj bazave amerikane në rajon, në rast se SHBA-të rifillojnë sulmet në territorin iranian.

“Fakti që Republika Islamike ka akses në qendrat kyçe amerikane në rajon dhe mund të ndërmarrë veprime sa herë që e sheh të nevojshme është një gjë me rëndësi”, tha ai në një fjalim televiziv.

Ai shtoi se “një veprim i tillë mund të përsëritet edhe në të ardhmen.”

“Në rast të ndonjë agresioni, armiku do të paguajë patjetër një çmim të lartë,” theksoi ai.

Deklaratat e Khameneit janë komenti i tij i parë publik që nga përfundimi i luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit.

Izraeli kishte filluar më 13 qershor një seri sulmesh ajrore mbi objekte ushtarake, bërthamore dhe civile në të gjithë Iranin, duke vrarë të paktën 606 persona dhe plagosur 5.332 të tjerë, sipas të dhënave të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë.

Në kundërpërgjigje, Teherani realizoi sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe plagosur mbi 3.400, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Hebraik në Jeruzalem.

Konflikti u ndërpre përmes një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, i cili hyri në fuqi më 24 qershor.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us