BOTA
2 minuta leximi
Britani: Vandalizohen varret e myslimanëve në Watford
Policia e Hertfordshire tha se krimi në fjalë, i zbuluar nga një familje e pikëlluar gjatë një vizite në këtë vend ngjarje, ka shkaktuar tronditje dhe shqetësim të thellë në gjithë komunitetin mysliman vendas.
Britani: Vandalizohen varret e myslimanëve në Watford
Britani: Vandalizohen varret e myslimanëve në Watford / AA
16 Prill 2025

Policia e Mbretërisë së Bashkuar nisi të martën një hetim mbi atë që po trajtohet si krim urrejtje islamofob pasi 85 varre, shumë prej të cilave u përkisnin foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, u përdhosën në zonën e varrezave dedikuar myslaimanëve "Carpenders Park Lawn" në Watford.

Policia e Hertfordshire tha se dëmi kriminal, i zbuluar nga një familje e pikëlluar gjatë një vizite në këtë vend ngjarje, ka shkaktuar tronditje dhe shqetësim të thellë në gjithë komunitetin mysliman vendas.

Patrulla shtesë janë shtuar në zonë dhe policia po bën apel që dëshmitarët ose kushdo që ka informacion të bashkëpunojë.

Inspektori Will Rogers-Overy konfirmoi se oficerë të lartë po punojnë me drejtuesit e komunitetit për të mbështetur familjet e prekura.

"Në ditët në vijim, ne do të angazhohemi më tej me komunitetin mysliman, i cili është veçanërisht i ndikuar nga ky krim i tmerrshëm", tha ai.

"Wadi Funeralcare", agjenci e cila iu shërben shumë familjeve myslimane në rajon, e përshkroi përdhosjen si shqetësuese dhe tha se disa prej varreve iu nënshtruan "akteve të papërshkrueshme të mosrespektimit".

Varreza "Carpenders Park Lawn", ndonëse ndodhet në Watford, është në pronësi dhe operohet nga Këshilli i Brentit.

Udhëheqësi i Këshillit, Muhammed Butt e dënoi incidentin si një akt të mundshëm të urrejtjes islamofobe.

"Duket sikur varret myslimane janë shënjestruar në atë që duket të jetë një krim islamofob i urrejtjes", tha Butt.

"Ngushëllimet tona për familjet e atyre që u janë përdhosur varret. Ne do t’i rivendosim pllakat e dëmtuara me emrat dhe do ta rikthejmë varrezën në një vend paqeje dhe kujtimi sapo të përfundojë hetimi i policisë", theksoi ai.

Abbas Merali, një këshilltar konservator nga Këshilli i Qarkut të Tre Lumenjve, e quajti vandalizmin "një akt barbar" dhe tha se ai ka shkaktuar "ankth të madh te familjet e pikëlluara dhe lëndim të thellë në gjithë komunitetin tonë".

 

 


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us