TÜRKİYE
2 minuta leximi
Erdoğan njofton Sharaan: Türkiye mbështet stabilitetin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë
Presidenti turk Erdoğan dhe ai sirian Sharaa u takuan në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya.
Erdoğan njofton Sharaan: Türkiye mbështet stabilitetin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë
Erdoğan-Sharaa: "Türkiye do t’i vazhdojë përpjekjet për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Sirisë" / AA
11 Prill 2025

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i ka thënë sot homologut të tij sirian Ahmad al-Sharaa se Ankaraja do t'i vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për t'i hequr sanksionet ndërkombëtare ndaj Sirisë.

Erdoğan dhe Sharaa u takuan në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya (FDA).

“Gjatë takimit, presidenti Erdoğan deklaroi se Türkiye mirëpret faktin që atyre që duan të ndodhë përsëri kaos në Siri nuk u jepet mundësia dhe tha se vitet e ardhshme do të jenë vite të stabilitetit, prosperitetit dhe paqes në Siri”, thuhet në një komunikatë nga Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për të rigjallëruar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik me Sirinë dhe ka shtuar se mund të merren parasysh edhe hapa në fusha të tjera.

“Presidenti Erdoğan nënvizoi se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet stabilizuese të Sirisë, ashtu siç ka bërë deri më tani”, shtoi drejtoria.

Forumi treditor i Diplomacisë në Antalya, i cili filloi në qytetin turistik turk të Antalyas të premten, ka në qendër temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.

Ngjarja bashkon liderë globalë, politikëbërës dhe ekspertë për t'i trajtuar sfidat kritike globale, të tilla si tensionet gjeopolitike, pabarazia, dhuna dhe ndryshimet klimatike, ndërsa eksploron mënyrat se si diplomacia mund ta rivendosë stabilitetin dhe ta nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us