Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka lëshuar të premten në mbrëmje një memorandum, duke urdhëruar katër agjenci federale që t’i lejojnë forcat e armatosura të kenë akses dhe të marrin kontrollin e tokave federale përgjatë kufirit ShBA-Meksikë.
Memorandumi, i adresuar të premten në mbrëmje Sekretarit të Brendshëm Doug Burgum, Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretares së Bujqësisë Brooke Rollins, udhëzon ushtrinë të "marrë një rol më të drejtpërdrejtë" në sigurimin e kufirit, sipas raportimeve të mediave.
Memorandumi u kërkon sekretarëve t’i japin Departamentit të Mbrojtjes si “përdorimin” ashtu edhe “juridiksionin” mbi tokat federale të caktuara për të mbështetur operacionet ushtarake në ato zona.
Memorandumi përcakton se Departamentit të Mbrojtjes duhet t’i jepet autoritet mbi zonat si Rezervati Roosevelt, një brez prej 18.3 metrash që ndjek vijën kufitare në shtetet amerikane të Kalifornisë, Arizonës dhe New Mexicos, për qëllime ushtarake, përfshirë ndërtimin e murit kufitar dhe instalimin e sistemeve të mbikëqyrjes dhe monitorimit. Dokumenti thekson se Rezervat e Popujve Autoktonë (Federal Indian Reservations) nuk përfshihen në këtë urdhër.
Direktiva shpall se ky brez kufitar do të konsiderohet si një "instalim ushtarak" nën kontrollin e Pentagonit.
Personeli ushtarak do të ketë autoritetin për të ndaluar çdo person që hyn në këtë zonë, por nuk do të kenë të drejtë të kryejnë arrestime për çështje emigracioni. Në vend të kësaj, ata mund të thërrasin agjentët e Patrullës Kufitare për të ndaluar migrantët, sipas një zyrtari ushtarak të cituar nga New York Times.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes nuk kanë dhënë asnjë koment mbi këtë çështje.