Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, u ka bërë thirrje liderëve globalë që të nxisin paqen dhe drejtësinë përmes fuqisë unifikuese të diplomacisë dhe rolit transformues të arsimit, gjatë fjalimit të saj në Forumin e 4-t të Diplomacisë në Antalya (ADF 2025).
Teksa mori pjesë në panelin "Ndërtimi i së Ardhmes në një Botë të Ndarë: Fuqia transformuese e arsimit", Emine Erdoğan e përshkroi arsimin si një rrugëtim përgjatë gjithë jetës dhe një mjet jetik për të ndrequr ndasitë globale.
Ajo nënvizoi se tema e forumit të këtij viti, “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, adreson drejtpërdrejt nevojën urgjente për bashkëpunim përballë tensioneve globale në rritje.
“Fëmijët nuk mund të jenë palë pjesmarrëse në luftëra apo konflikte”
Zonja e Parë tha se edukimi është një rrugëtim që e çon një qenie njerëzore në potencialin e saj më të lartë.
"Ajo që na çon përpara përgjatë këtij udhëtimi janë kualifikimet me të cilat ne pajisim veten kur nisemi. Ne ngecim në gjysmë të rrugës nëse mungojnë referenca të besueshme në hartën që marrim me vete," tha ajo.
"Qëllimi i vërtetë i edukimit të saktë dhe cilësor është të rritet çdo individ si një kryevepër."
Duke përmendur miliona fëmijë në zonat e luftës të privuar nga të drejtat elementare, Erdoğan shprehu dhimbjen për faktin se arsimi është kthyer në një luks në shumë pjesë të botës.
“E them këtë me pikëllim të madh: në një botë ku ne dështojmë t'u ofrojmë fëmijëve tanë të drejtën për të jetuar, e drejta për arsim është shumë prapa në listë.
Ajo theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të përballet me këtë realitet.
"Ne duhet t'i kujtojmë ndërgjegjes invalide të njerëzimit se fëmijët nuk mund të jenë palë në luftëra apo konflikte," tha ajo. “Të mos harrojmë: një botë në të cilën fëmijët vriten në gjumë me bomba dhe raketa, e ka humbur përgjithmonë pafajësinë e saj.”
Erdoğan përfundoi me një thirrje për të përfytyruar një të ardhme më shpresëdhënëse: “Lutem për një botë ku të mos ketë më zënka, ku fëmijët të mos ndjejnë asgjë veç gëzimit dhe të mbajnë mbi shpinë jo barrë të rënda, por vetëm çanta shkolle”.