Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të G7-ës bënë thirrje të mërkurën për rifillimin e bisedimeve në funksion të arritjes së një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit, duke i kërkuar Teheranit ta "rifillojë urgjentisht" bashkëpunimin e plotë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Ministri i Jashtëm i Kanadasë, i Francës, i Gjermanisë, i Italisë, i Japonisë, i Mbretërisë së Bashkuar dhe i ShBA-së, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, u takuan në Hagë për t'i diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, ministrat e Jashtëm riafirmuan qëndrimin e tyre se Irani “nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore”, duke i bërë thirrje Teheranit të heqë dorë nga rifillimi i aktiviteteve të pasurimit “të pajustifikuara”.
“Bëjmë thirrje për rifillimin e negociatave, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të verifikueshme dhe të qëndrueshme që adreson programin bërthamor të Iranit”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, deklarata i bën thirrje Iranit të “rifillojë urgjentisht bashkëpunimin e plotë” me IAEA-n.
“Dënojmë thirrjet në Iran për arrestimin dhe ekzekutimin e Drejtorit të Përgjithshëm të IAEA-së, Grossi”, thuhet më tej.
Duke theksuar “rëndësinë qendrore të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) si gurthemeli i regjimit global për mospërhapjen bërthamore”, deklarata thekson se është thelbësore që Irani të mbetet palë e traktatit dhe të zbatojë plotësisht detyrimet që burojnë prej tij.
“Riafirmojmë angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme. Në këtë kontekst, rikonfirmojmë se Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten. Ritheksojmë mbështetjen tonë për sigurinë e Izraelit”, u shprehën kryediplomatët.
Ministrat po ashtu ritheksuan mbështetjen për armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, duke u kërkuar të gjitha palëve që të shmangin veprime që mund ta destabilizojnë më tej rajonin.