LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
UNRWA: Sistemi shëndetësor në Gaza në nivel kritik, ilaçet me rëndësi jetike kanë mbaruar
"Ilaçet jetike dhe njësitë e gjakut po mbarojnë. Nevojat shëndetësore në Gaza janë jashtëzakonisht urgjente dhe po rriten çdo ditë", thuhet në deklaratë.
UNRWA: Sistemi shëndetësor në Gaza në nivel kritik, ilaçet me rëndësi jetike kanë mbaruar
UNRWA: Sistemi shëndetësor në Gaza në nivel kritik, ilaçet me rëndësi jetike kanë mbaruar / AA
12 orë më parë

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se sistemi shëndetësor në rajon ka arritur në një pikë kritike për shkak të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe se njësitë e gjakut dhe ilaçet me rëndësi jetike kanë mbaruar.

Në deklaratën e UNRWA-së në platformën sociale X thuhet se 45 për qind e produkteve mjekësore bazë kanë mbaruar dhe se rezervat (stoqet) e mbetura pritet të mbarojnë plotësisht brenda 6 javësh.

"Ilaçet jetike dhe njësitë e gjakut po mbarojnë. Nevojat shëndetësore në Gaza janë jashtëzakonisht urgjente dhe po rriten çdo ditë", thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite, në kuadrin e sulmeve që filluan më 7 tetor 2023 ka shënjestruar spitalet dhe infrastrukturën shëndetësore në Gaza, duke nxjerrë jashtë funksionit shumë objekte shëndetësore. Kjo i ka penguar shumë pacientët dhe të plagosurit të kenë qasje në trajtim.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, vetëm 16 spitale në rajon janë aktualisht pjesërisht funksionale, 5 prej të cilave janë në pronësi të shtetit dhe 11 prej të cilave janë private. Përveç kësaj, tetë spitale fushore po punojnë për të ofruar shërbime shëndetësore emergjente.

Si rezultat i sulmeve që vazhdojnë për rreth një vit e gjysmë, rreth 185 mijë palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, janë vrarë ose plagosur. Më shumë se 11 mijë njerëz janë të zhdukur. Qindra mijëra janë zhvendosur ndërsa uria dhe shkatërrimi i infrastrukturës i ka kushtuar jetën shumë njerëzve.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us