BOTA
7 minuta leximi
Si po përgatitet Arabia Saudite për haxhin në vapë ekstreme?
Nga rrugët e ftohta te monitorimi i shëndetit në kohë reale dhe predikimet e shkurtuara, autoritetet saudite po bëjnë çmos – por mjekët paralajmërojnë se përgatitja personale është ende thelbësore.
Si po përgatitet Arabia Saudite për haxhin në vapë ekstreme?
Si po përgatitet Arabia Saudite për haxhin në vapë ekstreme? / AP
29 Maj 2025

Pelegrinazhi vjetor i myslimanëve i njohur ndryshe me emrin Haxh është shumë afër – dhe ndërsa pelegrinët anembanë botës përgatiten për udhëtimin në Arabinë Saudite, një gjë është në mendjen e të gjithëve: sa e keqe do të jetë vapa këtë vit dhe çfarë mund të bëhet për ta mposhtur atë?

Rreth 1.300 vdekje u raportuan gjatë haxhit vitin e kaluar, sipas shifrave zyrtare saudite.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe të gjithë myslimanët që kanë mundësi duhet ta kryejnë atë të paktën një herë në jetën e tyre. Koha e tij përcaktohet nga kalendari hënor islamik, i cili zhvendoset përpara çdo vit në kalendarin Gregorian.

Gjatë katër ditëve, miliona besimtarë kryejnë një sërë ritualesh, që kulmojnë në Ditën e Arafatit – kulmin shpirtëror të Haxhit – kur pelegrinët mblidhen në Malin Arafat, vendin e predikimit të fundit të Profetit Muhamed.

Këtë vit, autoritetet saudite kanë njoftuar se Dita e Arafatit do të jetë më 5 qershor, e ndjekur nga Bajrami i Kurbanit më 6 qershor.

Për vite me radhë, ritualet e Haxhit kanë përkuar me verën përvëluese saudite. Pelegrinazhi i vitit të kaluar pa temperaturat të shkonin deri në 51,8°C, duke kontribuar në mbi një mijë vdekje.

Agjencia Saudite e Shtypit, duke cituar Qendrën Kombëtare për Meteorologji, ka parashikuar mot të nxehtë deri në jashtëzakonisht të nxehtë në vendet e shenjta këtë vit, me temperatura maksimale midis 40°C dhe 47°C, minimale nga 27°C në 32°C dhe lagështi që varion nga 15 deri në 60 për qind.

Një studim i vitit 2019 i botuar në Geophysical Research Letters, një revistë shkencore e gjeoshkencës, paralajmëroi se, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe kohës sezonale të Haxhit, pelegrinët mund të përballen me nivele të “pragut ekstrem të rrezikut” të stresit nga nxehtësia midis viteve 2047 dhe 2052 dhe 2079 dhe 2086.

Pse goditja nga nxehësia bëhet fatale?

Vdekjet nga goditja nga nxehtësia gjatë haxhit rrallë janë rezultat i një faktori të vetëm, tha për TRT World Dr. Imran Afzal, një mjek nga Pakistani, me mbi 35 vjet përvojë.

Është një përzierje e rrezikshme – vapë ekstreme, mbingarkesë fizike, sëmundje kronike si diabeti ose hipertensioni – dhe, më e rëndësishmja, vonesa në njohjen e simptomave dhe marrjen e ndihmës.”

Kur temperatura bazë e trupit rritet shumë shpejt, aftësia e trupit për t’u ftohur vetë shuhet, duke çuar në dështim të shumë organeve.

Në mjedisin me dendësi të lartë dhe stres të lartë të haxhit, lodhja mund të përshkallëzohet me shpejtësi në goditje nga nxehtësia.

“Shumë pelegrinë përballen me shqetësime për shkak të një shtytjeje të fortë shpirtërore për të përfunduar ritualet e tyre. Por, kjo mund të rezultojë në vonesa fatale, tha ai.”

Si mund ta mbrojnë veten haxhilerët?

Ndërsa qeveria saudite siguron stacione uji, shtigje me hije dhe sisteme mjegullimi, barra e mbrojtjes bie edhe mbi haxhilerët, veçanërisht të moshuarit dhe fëmijët, të cilët janë më në rrezik.

Dr. Afzal rekomandon të qëndroni të hidratuar, të përdorni çadra ose kapelë me strehë të gjerë, të aplikoni krem mbrojtës nga dielli, të pushoni midis ritualeve në zona me hije, ta shmangni agjërimin në vapë ekstreme, të udhëtoni në grupe dhe t’i planifikoni paraprakisht medikamentet me një ofrues kujdesi shëndetësor.

“Përgatitja nuk është vetëm fizike — është mjekësore, tha ai. «Haxhilerët me sëmundje kronike kanë nevojë për një strategji të qartë përpara se të nisen.”

Kur besimi takon kufijtë fizikë

Për shumë njerëz, haxhi është udhëtimi shpirtëror i një jete — dhe me të vjen një impuls për ta duruar dhimbjen si pjesë e sakrificës. Por, tejkalimi i kufijve fizikë mund të jetë vdekjeprurës.

“Kjo është një sfidë shumë e vërtetë”, tha dr. Afzal për TRT World.

“Islami i kushton një rëndësi të madhe ruajtjes së jetës dhe shëndetit. Qëndrueshmëria nuk do

të thotë injorimi i shenjave paralajmëruese shëndetësore. Ta mbash ritmin tënd, të konsultohesh me një mjek para se të udhëtosh dhe ta dëgjosh trupin tënd nuk janë shenja dobësie.”

Një rast gati i humbur

Ndërsa dr. Afzal nuk u dërgua në Arabinë Saudite vitin e kaluar, ai u konsultua nga distanca me familjet e pelegrinëve të cenueshëm. Një rast spikati: një burrë i moshuar diabetik u rrëzua nga lodhja nga nxehtësia pasi eci për orë të tëra pa ngrënë ose pirë.

Ai nuk hante mëngjes dhe nuk ishte hidratuar siç duhet. “Për fat të mirë, ai u dërgua në një stacion mjekësor në kohë dhe u stabilizua – por mund të kishte përfunduar shumë ndryshe”, tha ai.

Çfarë po bën Arabia Saudite në lidhje me këtë?

 Në përgjigje të kushteve ekstreme të nxehtësisë që parashikohen gjatë haxhit 2025, autoritetet saudite duket se janë në krye të kësaj çështjeje. Zona pushimi me hije dhe sisteme ftohjeje, tenda me ajër të kondicionuar dhe monitorë të nxehtësisë që vishen, rrugë të bardha që ulin nxehtësinë, rregullime për shpërndarjen e ujit dhe çadrave dhe namaze të shkurtuara të xhumasë janë ndër disa nga zgjidhjet që ata kanë.

Ministria saudite e Shëndetësisë po publikon gjithashtu në mënyrë aktive këshilla në rrjetin social X për ta shmangur lodhjen nga nxehtësia.

Ata kanë dhënë këshilla se çfarë duhet të merrni me vete dhe vaksinimet e nevojshme, përveç këshillave për pacientët me zemër, veshka dhe astmë, si dhe njerëzit me diabet.

Shejh dr. Abdulrahman El-Sudejs, Kreu i Çështjeve Fetare në Xhaminë e Madhe dhe Xhaminë e Profetit, urdhëroi që predikimet dhe namazi i xhumasë të shkurtohen gjatë sezonit të Haxhit, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit.

Masa synon ta zvogëlojë ngarkesën mbi besimtarët, veçanërisht të moshuarit dhe ata që jetojnë në zona të mbushura me njerëz, dhe përfshin minimizimin e pritjes midis thirrjes për namaz dhe predikimit.

Të enjten, Gulf News raportoi se Arabia Saudite ka zbuluar një shteg këmbësorësh të ftohur prej 4 km për në malin Arafat, me trotuar që reflekton diellin dhe asfalt të gomuar për ta rritur rehatinë për haxhilerët e moshuar dhe ata me nevoja të veçanta.

Iniciativa përfshin gjithashtu një korridor të gjelbër me sisteme mjegullimi dhe shatërvanë uji.

Arabia Saudite ka vendosur madje 11 ambulanca ajrore, 900 ambulanca tokësore dhe mbi 7.500 paramedikë në vendet kryesore të pelegrinazhit, së bashku me krijimin e 71 stacioneve të ndihmës së shpejtë dhe tre spitaleve fushore.

Kjo u konfirmua nga ministri i shëndetësisë i vendit, Fahd Al Jalajel, sipas një raporti tjetër në Gulf News.

Qeveria saudite, tha ai, ka rritur kapacitetin e shtretërve për sezonin e Haxhit me 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri theksoi hidratimin, mbrojtjen nga dielli dhe menaxhimin e turmave dhe i nxiti pelegrinët të mbajnë maskat, të lëvizin në grupe dhe të raportojnë çdo sëmundje.

Por, kjo nuk është e gjitha.

Monitorimi i shëndetit në kohë reale gjatë Haxhit po përmirësohet duke përdorur sensorë inteligjentë dhe mjete të inteligjencës artificiale nga Autoriteti Saudit i të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale (SDAIA), që është agjenci qeveritare.

Haxhilerët në gjendje kritike janë të lidhur me Spitalin Virtual SEHA – më i madhi në botë – për kujdes të vazhdueshëm. Aplikacioni SEHA gjithashtu mundëson konsultime në distancë dhe kujdes në shtëpi, duke e zvogëluar nevojën për udhëtime mes nxehtësisë ekstreme dhe mbipopullimit.

Mos ejani pa leje!

Përveç masave shëndetësore dhe infrastrukturore, Arabia Saudite po përforcon sistemin e saj të lejeve për t’i minimizuar rreziqet që lidhen me nxehtësinë gjatë Haxhit.

Ministria e Haxhit dhe e Umres vazhdimisht thekson se vetëm haxhilerët me leje të vlefshme do të lejohen ta kryejnë Haxhin këtë vit — një veprim që synon ta zvogëlojë mbipopullimin dhe të sigurojë kushte më të sigurta mes rritjes së temperaturave.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us