Për shkak të përshkallëzimit të luftës tregtare teknologjike mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashingtoni i ka ndaluar gjigantit teknologjik Nvidia që t’i shesë çipet e saj H20 Kinës “për një kohë të pacaktuar”, thuhet në një dokument që Nvidia e ka pranuar të martën, raporton Anadolu.
Kompania ka njoftuar se pret humbje deri në 5.5 miliardë dollarë në tremujorin e parë fiskal, si pasojë e kufizimeve të reja të vendosura nga ShBA për eksportin e çipeve H20 të destinuar për tregun kinez.
Administrata amerikane më 9 prill e ka informuar Nvidian se për eksportin në Kinë (duke përfshirë Hong Kongun dhe Makaon), si dhe në vendet e kategorizuara me shenjën D:5, apo kompanitë që janë të regjistruara në ato vende, ose që janë në pronësi të atyre vendeve, do të kërkohet leje e veçantë për eksportin e çipeve H20, si dhe për të gjithë çipet që kanë të njëjtin kapacitet të transferimit të memories dhe të dhënave.
“Sipas qeverisë së ShBA, kërkesa për leje është vendosur për të parandaluar përdorimin e këtyre produkteve në superkompjuterët kinezë ose që ato t’u ridrejtohen atyre,” thuhet në dokument.
Të hënën, qeveria amerikane e ka informuar Nvidian se ky kufizim do të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar.
Pas publikimit të lajmit, vlera e aksioneve të Nvidias ka rënë me 6.3 për qind në tregun pas mbylljes së bursës.
Këto kufizime të reja tregojnë se administrata e Trump-it do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Uashingtonit për të frenuar ambiciet kineze në fushën e inteligjencës artificiale dhe prodhimit të çipeve.
Së bashku me tarifat e reja mbi mallrat kineze, të cilat sipas Shtëpisë së Bardhë mund të arrijnë deri në 245 për qind këtë javë, ShBA po synon të kufizojë kapacitetet e Kinës për prodhimin dhe sigurimin e çipeve të avancuara dhe gjysmëpërçuesve.