Të paktën 44 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Sipas një burimi mjekësor, sulmet ajrore izraelite goditën një bllok apartamentesh banimi në lagjen Shejaiya në qytetin e Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona.
Burimi tha se edhe pesë të tjerë humbën jetën në sulmet izraelite në shtëpitë përgjatë lagjes Al-Yarmouk në pjesën qendrore të Qytetit Gaza.
Një tjetër burim mjekësor, tha se avionët luftarakë izraelitë goditën edhe tre shtëpi palestineze, duke vrarë të paktën 12 persona në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
12 palestinezë të tjerë u vranë kur forcat izraelite bombarduan shtëpitë dhe tendat që strehonin civilët e zhvendosur në disa zona në të njëjtin qytet.
Të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të përshkallëzojë sulmet në Gaza, mes përpjekjeve për të zbatuar planin e presidentit të ShBA-së, Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga enklava.
Të paktën 50.400 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në sulmet ushtarake izraelite që nga tetori i vitit 2023, kryesisht gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli, për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.