Ministria e Jashtme e Türkiyes ka reaguar ashpër ndaj deklaratave provokuese të ministrave izraelitë, duke i cilësuar si pasqyrim të politikave agresive dhe ekspansioniste të qeverisë izraelite.
"Deklaratat provokuese të ministrave izraelitë ndaj vendit tonë pasqyrojnë gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhen, si dhe politikat agresive dhe ekspansioniste të qeverisë fundamentaliste dhe raciste izraelite", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.
Ministria ka vënë në pikëpyetje shqetësimin e Izraelit për zhvillimet në Siri dhe Liban, duke theksuar se këto zhvillime premtojnë paqe dhe stabilitet në rajon. "Duhet vënë në pikëpyetje pse zhvillimet në Siri dhe Liban, të cilat premtojnë shumë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë dhe mbështeten nga e gjithë bota, shqetësojnë Izraelin", theksohet në reagim.
Türkiye ka dënuar gjithashtu sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit ndaj Sirisë, duke i cilësuar si pjesë e politikës së jashtme izraelite që ushqehet me konflikt.
"Edhe pse nuk pati asnjë provokim apo sulm kundër Sirisë në terren, sulmet e njëkohshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në shumë pika mbrëmë (2 prill) nuk kanë asnjë shpjegim tjetër përveç qasjes së politikës së jashtme të Izraelit që ushqehet me konflikt", vijon deklarata.
Ministria turke ka akuzuar Izraelin se përpiqet të fshehë gjenocidin në Gaza dhe politikat ekspansioniste përmes sulmeve në Siri dhe Liban duke synuar Türkiyen.
"Është e pamundur për ministrat izraelitë të fshehin gjenocidin që po kryejnë në Gaza, luftën gjithëpërshirëse kundër popullit palestinez, terrorin e kolonëve, synimin për ta aneksuar Bregun Perëndimor dhe ambiciet ekspansioniste pas sulmeve të tyre në Siri dhe Liban duke synuar Türkiye".
"Izraeli është bërë kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit tonë me sulmet e tij ndaj integritetit territorial dhe unitetit kombëtar të vendeve të rajonit. Izraeli vepron si një destabilizues strategjik në rajon, duke shkaktuar kaos dhe nxitur terrorizmin", thuhet më tej në komunikatë.
Türkiye ka bërë thirrje që Izraeli të ndalë politikat e tij ekspansioniste dhe komuniteti ndërkombëtar ta marrë përgjegjësinë për ta parandaluar agresionin izraelit.