BOTA
3 minuta leximi
BE-ja heq sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, por i zgjat ato për rrethin e Asadit
Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i Evropës thuhet se vendimi politik i marrë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së më 20 maj është pranuar zyrtarisht dhe se do të publikohet së shpejti në "Gazetën Zyrtare".
BE-ja heq sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, por i zgjat ato për rrethin e Asadit
BE-ja heq sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, por i zgjat ato për rrethin e Asadit / TRT Balkan
28 Maj 2025

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se vendimi për heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Sirisë është pranuar zyrtarisht dhe se nga lista e sanksioneve janë hequr gjithashtu bankat, kompanitë që operojnë në sektorë të rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe 24 institucione mediatike. 

Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i Evropës thuhet se vendimi politik i marrë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së më 20 maj është pranuar zyrtarisht dhe se do të publikohet së shpejti në "Gazetën Zyrtare".

Në deklaratë thuhet se 24 institucione janë hequr nga "lista e atyre që i nënshtrohen ngrirjes së fondeve dhe burimeve ekonomike", dhe se këto janë "banka, përfshirë Bankën Qendrore Siriane ose kompani që operojnë në sektorë të rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë (prodhimi dhe rafinimi i naftës, pambukut dhe telekomunikacionit) si dhe institucione mediatike".

Gjithashtu, deklarata përfshin edhe prononcime nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha:

"Ky vendim është hapi i duhur që duhet ndërmarrë në këtë kohë historike që BE-ja ta mbështesë vërtet rimëkëmbjen e Sirisë dhe një tranzicion politik që përmbush aspiratat e të gjithë sirianëve. BE-ja ka qëndruar pranë popullit sirian për 14 vitet e fundit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë".

Zgjatet afati i sanksioneve kundër individëve dhe organizatave të lidhura me regjimin e Asadit

Më tej, theksohet se është zgjatur deri më 1 qershor 2026 periudha e listave të sanksioneve që përmbajnë individë dhe organizata të lidhura me regjimin e rrëzuar të Asadit me qëllim "për të mbështetur llogaridhënien".

Lidhur me incidentet që ndodhën në Latakia në mars, "Këshilli i Evropës ka vendosur masa të reja kufizuese që synojnë dy individë dhe tre organizata për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut sipas 'Regjimit Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut të BE-së', thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se BE-ja vazhdon të monitorojë zhvillimet në terren dhe është e përgatitur të vendosë sanksione kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe aktorëve që nxisin paqëndrueshmërinë në vend.

Sanksionet e BE-së kundër Sirisë

Sanksionet e BE-së kundër Sirisë filluan në maj të vitit 2011 pas shpërthimit të luftës civile.

Kundër individëve të lidhur me regjimin dhe të cilët mbahen përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut, u morën masa kufizuese individuale, të tilla si ndalime udhëtimi dhe ngrirje asetesh. Në listë u përfshinë emra kritikë në rrethin e ngushtë të regjimit, nga Bashar al-Assadi e deri te ministrat e tij.

Përveç këtyre, BE-ja vendosi gjithashtu sanksione sektoriale ndaj Sirisë, duke synuar sektorët në zemër të rrjetit financiar të regjimit. Brenda këtij kuadri, u kufizuan importet e naftës bruto dhe produkteve të naftës, eksportet e mallrave që mund të përdoren si për qëllime ushtarake ashtu edhe për qëllime civile dhe disa pajisje komunikimi. Sanksionet përfshinë gjithashtu financimin e disa iniciativave dhe projekteve të infrastrukturës.

Pas përmbysjes së regjimit, BE-ja ndërmori hapin e parë në këtë drejtim më 24 shkurt, kur njoftoi se kishte vendosur të "pezullonte" sanksionet kundër Sirisë, që synonin sektorë të tillë si bankat, energjia dhe transporti.

Zyrtarët e BE-së thonë se vendimet lidhur me heqjen e sanksioneve janë "të kthyeshme" dhe se situata në vend po monitorohet nga afër.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us