RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëria përfshihet nga flakët, nga 24 vatra zjarri 6 ende aktive
Rreth 399 trupa dhe 53 mjete të rënda janë dërguar në terren për vënien nën kontroll të zjarrit.
Shqipëria përfshihet nga flakët, nga 24 vatra zjarri 6 ende aktive
Shqipëria përfshihet nga flakët, nga 24 vatra zjarri 6 ende aktive / ATA
6 Korrik 2025

Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë shqetësuese. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 janë ende aktive, sipas njoftimit të Emergjencave Civile.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Elbasan, Finiq, Delvinë, Selenicë, Vlorë, Tiranë, Vorë, Krujë, Has, Mat, Malësi e Madhe, Kurbin, Korçë, Poliçan dhe Gjirokastër.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Në Elbasan, zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve vazhdon, me punë intensive për shuarjen përmes inerteve dhe kapsulimit të mbetjeve. Një grup ekspertësh ka qenë në terren për matjen e ndotjes së ajrit.

Në zonën ndërmjet fshatrave Grazhdan njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, situata paraqitet më e qetë, ndërsa vatra monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor.

Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje ndodhen efektivët e Shërbimit Vendor të MZSh-së të bashkisë Vlorë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia e Tiranës, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i pafavorshëm e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Sot, forcat operacionale me ndihmën e 40 forcave nga FA do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.

Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj puna për shuarjen vazhdon.

Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Sot në mëngjes ka rifilluar operacioni për shuarjen e zjarrit me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ku si pasojë janë djegur rreth 7 hektarë.

Në tri raste, në fshatin Marqinet (bashkia Vorë), në rrugën “Perlat Rexhepi” (njësia administrative Nr.5, bashkia Tiranë) dhe në fshatin Bulgarec (bashkia Korçë), zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale dhe 53 mjete të rënda. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 40 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje lokale të dobëta në disa qarqe.

Sa i përket rrezikut nga zjarret, në shumicën e qarqeve pritet nivel “i lartë”. Në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “i moderuar”, por lokalisht edhe “i lartë” në zona të caktuara si: Durrës (jug), Korçë (qendër) dhe Vlorë (veri-qendër).

Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin nga afër çdo situatë në terren.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us