Fata Bektiq është e vetmja grua që do të varroset më 11 korrik në funeralin kolektiv në varrezën e Qendrës Memoriale të Srebrenicës në Potoçari. Ajo ishte 67 vjeçe në kohën e vdekjes së saj dhe eshtrat e saj u gjetën 26 vjet më vonë, gjatë një zhvarrimi në qershor të 2021 në Potoçari.
Ajo u vra nga një predhë që ra në afërsi të saj ndërsa ajo dhe familja e saj po ecnin drejt bazës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Potoçari, si shumë banorë të tjerë të Srebrenicës, duke shpresuar të gjenin strehim atje. Ajo kishte vështirësi në lëvizje për shkak të sëmundjes, kështu që ishte mbi kalë kur ra predha.
Vajza e Fatës, Behija Rotiq (58), është e vetmja mbijetuese e familjes pesanëtarëshe Bektiq. Në kohën e rënies së Srebrenicës, ajo ishte 28 vjeç dhe jetonte me nënën e saj Fatën, babanë Mehon dhe motrat Kadira dhe Aza. Asnjëri prej tyre nuk jetoi për të gjetur dhe varrosur gruan dhe nënën e tyre, përveç Behijës. Meho vdiq në vitin 2002, ndërsa motrat e Behijës në vitet pas kësaj.
Para në një kuti shkrepësesh
“Ne ishim në fshatin tonë gjatë gjithë luftës. Megjithatë, pas rënies së Srebrenicës, ne u nisëm, si të gjithë të tjerët, drejt Potoçarit. Ajo nuk mund të ecte, por ne nuk mund ta linim, pranda hipi mbi një kalë”, tha Behija, e cila jeton në një fshat pranë Olovit, rreth 60 kilometra nga Sarajeva.
Një granatë shpërtheu pranë tyre, kujton Behija, ndërsa nëna e saj humbi jetën në vend.
“Kjo nuk mund të harrohet kurrë. Është e vështirë kur kujtojmë atë që përjetuam”, tha ajo shkurt, sepse edhe sot është e vështirë për të ta flasë dhe ta kujtojë atë kohë.
Remzo Rotiq (55), burri i Behijës, tregoi për fatin e Fatës dhe atë që ndodhi në Srebrenicë në vitin 1995, të cilit Meho, vjehrri, i kishte treguar më parë për gjithçka që kishin përjetuar.
“Një granatë ra pranë tyre, dheu i mbuloi. Ajo ra nga kali dhe vdiq. Ata shkuan në UNPROFOR për ta raportuar, dhe dy anëtarë të forcave serbe erdhën me pjesëtarët e tyre. Kishin sjellë katër të rinj që mbanin lopata. Thanë ta varrosnin aty”, tha Remzo.
Ai shtoi se Meho i ka treguar se si kishte kërkuar që Fata të mos varrosej “kaq sipërfaqësisht”, por ushtarët serbë i kishin thënë se duhej falënderuar për këtë, pas së cilës e kishin pështyrë.
Pas kësaj, ata u çuan në Potoçari. Meho kishte disa para me vete, siç i ka treguar Remzos, sepse kishte shitur një viç. Ai i mbajti paratë të fshehura në një kuti shkrepësesh.
“I njëjti ushtar që ishte në varrimin e Fatës iu afrua Mehës dhe e pyeti nëse kishte para. Ai tha se po dhe i dha shkrepëset. Pas kësaj, ai tha: ‘Gjysh, ja ku është shkalla dhe ti dhe vajzat e tua hipni në kamion’. Vjehrri im ishte një besimtar i madh dhe tha se paratë e shpëtuan”, tha Remzo.
Identifikimi në janar 2025
Shumë vite pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë, e cila përfundoi në fund të vitit 1995, Remzo shkoi në Potoçari me gruan e tij Behijën dhe motrat e saj, në vendin ku, siç i thanë, duhe të ishte e varrosur Fata.
“Gjatë njërit prej funeraleve, më çuan në vendin ku ishte varrosur Fata, rreth 200 metra larg Potoçarit. Ajo u varros në një vijë ndarëse midis arash. Ne kërkuam edhe një gur të bardhë, sepse vjehrri im më tha se e kishte vendosur pranë vendit ku e varrosën”, tha Remzo, duke deklaruar se ajo ishte varrosur sipërfaqësisht, aq sa edhe batanija në të cilën ishte dukej.
Ata raportuan vendndodhjen në mënyrë që institucionet kompetente të kishin informacion në rast se u ndodhte diçka motrave. Pas disa vitesh, ata vizituan përsëri vendin e varrimit dhe panë se nuk kishte më mbetje.
Behija më vonë dha një mostër gjaku për analizën e ADN-së për të përcaktuar nëse përputhej me ADN-në e mbetjeve të gjetura në Potoçari.
“Në janar të këtij viti, Behija u thirr në Tuzla. Ajo duhej ta identifikonte nënën e saj. Ajo i njohu sandalet me rrip që i përkisnin nënës së saj, Fatës”, tha Remzo.
Shtatë viktima të gjenocidit do të varrosen më 11 korrik
Çdo vit, më 11 korrik, viktimat e sapoidentifikuara të mizorisë më të keqe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore varrosen në varrezat përkujtimore të Potoçarit, duke shënuar përvjetorin e gjenocidit që mori më shumë se 8.000 jetë.
Mbetjet mortore të shtatë viktimave të gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 do të varrosen në një funeral kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë Instituti për Personat e Zhdukur.
Viktimat që do të varrosen këtë vit janë:
• Senajid Husein Avdiq, i lindur më 1976;
• Hariz Ramiz Mujiq, i lindur më 1976;
• Fata Huso Bektiq, e lindur më 1928;
• Hasib Adem Omeroviq, i lindur më 1961;
• Sejdalija Alija Aliq, i lindur më 1961;
• Rifet Mustafa Gabeljiq, i lindur më 1964;
• Amir Ibrahim Mujçiq, i lindur më 1964.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën, e shpallur zonë e sigurt nga OKB-ja, duke vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë pavarësisht pranisë së paqeruajtësve holandezë. Forcat e udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid, pushtuan zonën më 11 korrik, duke ekzekutuar rreth 2.000 burra dhe djem atë ditë dhe mijëra të tjerë në ditët në vijim.
Trupa të viktimave janë gjetur në 570 varre masive në gjithë Bosnjë e Hercegovinën.