Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura në shtetin amerikan të Texasit është rritur në 51 deri të shtunën mbrëma, sipas raporteve të mediave lokale.
Në Kerr County, zona më e goditur, autoritetet konfirmuan 43 viktima, 28 të rritur dhe 15 fëmijë. Në Travis County janë raportuar katër viktima, ndërsa në Kendall dhe Tom Green nga një viktimë secila. Dy të tjera janë konfirmuar në Burnet County, njoftoi NBC News.
Në Kerr County, 27 fëmijë rezultojnë ende të zhdukur pasi përmbytjet shkatërruan kampin veror të vajzave, Camp Mystic, me orientim të krishterë.
Zyrtarët thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë me intensitet pas përmbytjeve shkatërruese.
Më herët, administratori i qytetit Kerrville, Dalton Rice, deklaroi për CNN se prioriteti kryesor mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore. “Jemi të përqendruar plotësisht te siguria e jetës. Kërkim-shpëtimi për çdo person të përfshirë po vazhdon pa ndërprerje gjatë gjithë natës,” theksoi ai.
Përmbytjet nisën të enjten mbrëma dhe zgjatën deri në orët e para të së premtes, kur reshje të dendura shiu bënë që lumi Guadalupe të tejkalonte nivelin 11,8 metra, duke kaluar përmbytjen e dytë më të rëndë të regjistruar në rajon që nga viti 1987.