RAJONI
2 minuta leximi
Vatra zjarri në Bllacë, kufizohet qarkullimi në kufirin Maqedoni e Veriut-Kosovë
Zjarri ka përfshirë pjesë të terrenit mbi rrugën magjistrale, autoritetet kanë ndaluar lëvizjen e mjeteve të rënda, sidomos kamionëve, ndërsa automjetet e udhëtarëve po orientohen në rrugë alternative.
Vatra zjarri në Bllacë, kufizohet qarkullimi në kufirin Maqedoni e Veriut-Kosovë
Vatra zjarri në Bllacë, kufizohet qarkullimi në kufirin Maqedoni e Veriut-Kosovë
18 orë më parë

Disa vatra zjarri janë përhapur në zonën e Bllacës, pranë kufirit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se për shkak të një zjarri të përhapur mbi rrugën magjistrale A4 Shkup – Bllacë, në afërsi të tunelit, është vendosur një regjim i ri i qarkullimit të automjeteve.

Zjarri, i cili është përhapur në zonën mbi rrugën magjistrale, ka detyruar autoritetet ta bllokojnë plotësisht qarkullimin për mjetet e rënda, kamionët, ndërsa automjetet e udhëtarëve janë devijuar në rrugë alternative.

Sipas njoftimit të MPB-së, për mjetet që vijnë nga pika kufitare e Bllacës drejt Shkupit, qarkullimi është devijuar në drejtim të fshatit Bllacë e Epërme, më pas në rrugën e vjetër drejt fshatit Banjanë, Glluvo dhe më pas drejt Shkupit.

Po ashtu, për automjetet që udhëtojnë nga Shkupi drejt pikës kufitare në Bllacë, qarkullimi është devijuar nëpërmjet rrugës rajonale R-2239, përmes fshatit Brazdë, Glluvo dhe Bllacë e Epërme.

Ndërkohë, përmes një njoftimi Qendra për Menaxhim me Kriza u tha se gjatë natës është shumë e rrezikshme të shuhet zjarri.

"Për shkak të rrezikut të lartë, gjatë natës nuk rekomandohet dhe është shumë e rrezikshme të shuhet zjarri në hapësira të hapura, veçanërisht nëpër kodra. Gjatë natës mbrohen vetëm objektet, shtëpitë, infrastruktura dhe merren masa për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve”, njoftoi QMK-ja.

Në terren janë angazhuar disa ekipe me automjete që po punojnë intensivisht për të ndalur zjarrin dhe për ta parandaluar përhapjen e tij drejt shtëpive nëpër fshatra. Kjo është detyra prioritare për sonte", thuhet në njoftimin e QMK-së.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut u bëri apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik t'i ndjekin udhëzimet e policisë dhe të kenë kujdes gjatë lëvizjes në këto segmente rrugore.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us