Një grup përfaqësuesish të disa prej kompanive më të mëdha të industrisë globale të filmit, si Warner Brothers, Disney, Paramount, Amazon, Universal dhe HBO, ndodhen në Shqipëri në kuadër të turit “FamTourAlbania”, një iniciativë e sjellë nga drejtori i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr.
Një ndër ndalesat e rëndësishme të këtij turi ishte edhe takimi me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AmCham), ku u zhvillua një bashkëbisedim me drejtues të lartë të Dhomës, përfaqësues biznesesh dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Takimi synoi të ofronte një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi potencialin shqiptar – që nga mundësitë për investim e deri te talenti vendor.
“Një nga qëllimet tona kryesore është forcimi i lidhjeve ekonomike me ShBA-në dhe promovimi i investimeve amerikane që nxisin rritjen e qëndrueshme dhe inovacionin,” deklaroi gjatë fjalës së tij drejtori ekzekutiv i AmCham, Neritan Mullaj.
Ai shtoi se prania e këtyre emrave të mëdhenj të kinemasë botërore nuk është vetëm një mundësi për industrinë kreative, por edhe një hapësirë për të prezantuar njerëzit tanë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare.
Edhe presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, theksoi potencialin e Shqipërisë si destinacion për investime në industrinë e filmit.
“Kjo është një kohë kur në Shqipëri po ndodhin ndryshime të mëdha. Vendi ofron peizazhe unike, kosto konkurruese dhe një bazë në rritje të talenteve kreative dhe teknike,” tha ai, duke ftuar përfaqësuesit e industrisë të konsiderojnë vendin tonë si pjesë të ekosistemit global të prodhimit filmik.
Një hap konkret në këtë drejtim është përurimi i “Tirana Training Institute” nga Catalyst Story Institute, një qendër trajnimi e specializuar për përgatitjen e profesionistëve në të gjitha hallkat e industrisë kreative.
Ky projekt përfaqëson më shumë sesa një investim në infrastrukturë: është një investim në njerëz, në zhvillimin e aftësive dhe në ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar që mund të përballojë kërkesat e tregut ndërkombëtar të filmit.
Gjatë qëndrimit të tyre disa ditor në Shqipëri, përfaqësuesit e industrisë do të vizitojnë vendndodhje të ndryshme për xhirime, duke eksploruar mundësitë që vendi ofron për bashkëprodhime ndërkombëtare.
Krahas kësaj, ata do të kenë rastin të njihen më nga afër me historinë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare, elementë që mund ta bëjnë Shqipërinë një pikë të re reference në hartën e filmit botëror.