LUFTA NË GAZA
3 minuta leximi
Izraeli tërheq ekipin negociator nga Doha pas përgjigjes së Hamasit për propozimin e armëpushimit
Ushtria izraelite po përgatitet t’i zgjerojë operacionet tokësore në Gaza pas përgjigjes së Hamasit, sipas mediave izraelite.
Izraeli tërheq ekipin negociator nga Doha pas përgjigjes së Hamasit për propozimin e armëpushimit
Izraeli tërheq ekipin negociator nga Doha pas përgjigjes së Hamasit për propozimin e armëpushimit / AA
24 Korrik 2025

Izraeli tërhoqi të enjten ekipin negociator nga kryeqyteti i Katarit, Doha, për konsultime pas përgjigjes së Hamasit ndaj propozimit të fundit për armëpushim dhe marrëveshje për pengjet.

“Në dritën e përgjigjes së përcjellë nga Hamasi mëngjesin e sotëm, është vendosur që ekipi negociator të rikthehet për konsultime shtesë në Izrael”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Ne i vlerësojmë përpjekjet e ndërmjetësve, Katarit dhe Egjiptit, si dhe përpjekjet e të dërguarit të ShBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për të arritur një përparim në negociata”, thuhet më tej.

Një zyrtar izraelit, duke folur për transmetuesin publik KAN në kushte anonimiteti, tha se vendimi për ta tërhequr delegacionin nuk nënkupton kolaps të negociatave.

“Kjo është një lëvizje e koordinuar mes të gjitha palëve. Duhet bërë zgjedhje vendimtare, prandaj ekipi u kthye. Momentum-i mbetet pozitiv”, tha ai.

Më herët të enjten, Hamasi konfirmoi se kishte dorëzuar përgjigjen e tij, së bashku me atë të fraksioneve të tjera palestineze, ndërmjetësve. Zyra e Netanyahut konfirmoi marrjen e përgjigjes dhe tha se ajo është në shqyrtim. Asnjëra palë nuk bëri publike përmbajtjen.

Megjithatë, sipas Channel 12, Hamasi kërkoi lirimin e 200 palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të izraelitëve në këmbim të 10 pengjeve të gjallë, si dhe lirimin e 2,000 palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023.

Propozimi fillestar, që Izraeli thuhet se e kishte pranuar, përfshinte lirimin e 125 të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe 1.200 të tjerëve të arrestuar në Gaza që nga fillimi i luftës.

Gazeta ditore Israel Hayom, duke cituar zyrtarë të sigurisë të paidentifikuar, raportoi se ushtria izraelite po përgatitet të zgjerojë operacionet tokësore në Gaza pas përgjigjes së Hamasit.

Ndërkohë, një burim i mirëinformuar i tha të njëjtit medium se rikthimi i ekipit negociator izraelit nga Doha nuk duhet parë si zhvillim pozitiv.

“Përkundrazi”, tha burimi, duke pretenduar se Hamasi po “vendos pengesa” në rrugën drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Tel Avivi vlerëson se ka 50 pengje, prej të cilëve 20 mbahen në Gaza. Më shumë se 10.800 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, ku, sipas organizatave të të drejtave të njeriut palestineze dhe izraelite, ata i nënshtrohen torturave, urisë dhe neglizhencës mjekësore, gjë që ka shkaktuar shumë vdekje.

Që nga 6 korriku, në Doha po zhvillohen negociata të tërthorta mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti, me mbështetje nga ShBA-ja, për një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us