Departamenti i Shtetit të ShBA-së pritet të propozojë një shkurtim të paprecedentë të pranisë diplomatike të Uashingtonit në botë, kanë raportuar disa media amerikane, duke përfshirë mbylljen e programeve dhe ambasadave për ta reduktuar buxhetin me gati 50 për qind.
Propozimet, që ndodhen në një memo të brendshme të Departamentit dhe që thuhet se janë nën diskutim serioz nga zyrtarë të lartë, do ta eliminonin thuajse gjithë financimin për organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe NATO.
Mbështetja financiare për misionet e ruajtjes së paqes do të zvogëlohej, po ashtu edhe fondet për programet arsimore dhe kulturore si Programi Fulbright, një nga bursat më prestigjioze të ShBA-së.
Ky plan vjen ndërkohë që Presidenti Donald Trump po vazhdon një fushatë të gjerë për t’i ulur shpenzimet qeveritare dhe për ta zvogëluar rolin udhëheqës të Amerikës në arenën ndërkombëtare.
Por, Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm i ka cilësuar shkurtesat e propozuara si “të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”, ndërsa ish-ambasadori amerikan në Moskë, Michael McFaul, e ka quajtur këtë një “dhuratë gjigante për Partinë Komuniste të Kinës”.
Sipas "The New York Times", memoja thotë se Departamenti i Shtetit do të kërkojë një buxhet prej 28,4 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2026, që fillon më 1 tetor, 26 miliardë dollarë më pak se shifra për vitin 2025.
Edhe pse nuk ka shumë informacion mbi ndihmat humanitare, programet për luftimin e sëmundjeve tropikale, ofrimin e vaksinave për fëmijët në vendet në zhvillim dhe promovimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës pritet të anulohen, raportoi Times.
Reduktimi i misioneve diplomatike
USAID-i, agjencia e madhe e zhvillimit që Trump dhe Musk synojnë ta mbyllin konsiderohet në memon e brendshme si tashmë e integruar plotësisht në Departamentin e Shtetit, sipas “The Washington Post”.
Vetëm Kongresi i kontrolluar nga republikanët, i cili ka nevojë për votat e demokratëve për ta miratuar shumicën e ligjeve ka autoritetin për t’i miratuar këto shkurtime.
Megjithatë, propozimet pritet të jenë në qendër të negociatave mes ligjvënësve për buxhetin e vitit 2026.
Departamentet qeveritare kishin afat këtë javë për t’i dërguar Shtëpisë së Bardhë planet e tyre për shkurtime, por Departamenti i Shtetit ende nuk ka bërë ndonjë njoftim publik.
Nuk është e qartë nëse Sekretari i Shtetit Marco Rubio e ka mbështetur memon e 10 prillit, por ai do të duhet të japë miratimin për çdo shkurtim para se të merret në konsideratë nga Kongresi.
Dokumenti përcakton mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave, përfshirë ato në Eritre, Luksemburg, Sudanin e Jugut dhe Maltë, sipas "Punchbowl News".
Pesë konsullata që do të mbyllen janë në Francë, ndërsa dy të tjera në Gjermani. Lista përfshin gjithashtu misione në Skoci dhe Itali.
Në Kanada, konsullatat amerikane në Montreal dhe Halifax do të zvogëlohen për të ofruar “diplomaci të nivelit të fundit” me mbështetje minimale lokale, raporton Punchbowl.
Misionet amerikane pranë organizatave ndërkombëtare si Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe UNICEF-i do të bashkohen me përfaqësitë diplomatike në qytetet ku ndodhen.