LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Familjarët e pengjeve izraelite kërkojnë miratimin e menjëhershëm të armëpushit në Gaza
Hamas thotë se ka dorëzuar një përgjigje “pozitive” për propozimin për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve.
Familjarët e pengjeve izraelite kërkojnë miratimin e menjëhershëm të armëpushit në Gaza
Familjarët e pengjeve izraelite kërkojnë miratimin e menjëhershëm të armëpushit në Gaza / Reuters
5 Korrik 2025

Familjarët e pengjeve izraelite në Gaza i bënë thirrje të shtunën qeverisë izraelite që të miratojë marrëveshjen e propozuar për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve me Hamasin, për ta ndalur luftën në enklavë.

“Nëse (kryeministri Benjamin) Netanyahu nuk do të kishte penguar marrëveshjen e mëparshme, pengjet tashmë do të ishin në shtëpi,” tha Einav Zangauker, nëna e Matanit, i mbajtur peng në Gaza, gjatë një konference për shtyp para Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet mbi Rripin e Gazës më 18 mars, duke shkatërruar marrëveshjen e armëpushimit që ishte në fuqi prej 19 janarit.

“Por në këtë moment, kur ekziston frikë serioze për jetën e pengjeve për shkak të presionit ushtarak, kur ushtarët tanë po bien në një luftë që tashmë ka arritur objektivat e saj – armëpushimi është i domosdoshëm,” tha ajo.

“Armëpushimi është zgjedhja për jetën. Qeveria izraelite duhet të bëjë gjithçka që marrëveshja të nisë të zbatohet këtë javë.”

“E thërras kryeministrin, Netanyahu, para dy ditësh më premtove se do t’i sillje të gjithë mbrapsht. Tani është koha për veprim,” shtoi ajo, duke i bërë thirrje të dërgojë një ekip negociator për të arritur marrëveshjen.

Vëllai i një tjetër pengu në Gaza (emri nuk është bërë publik), i bëri apel Presidentit amerikan Donald Trump që të ushtrojë presion për të finalizuar marrëveshjen, duke paralajmëruar se “çdo vonesë mund të çojë në humbje të tjera jetësh ndër pengjet.”

Hamas njoftoi të premten se ka dorëzuar një përgjigje “pozitive” ndërmjetësve lidhur me propozimin për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza. Izraeli konfirmoi se është duke shqyrtuar përgjigjen e Hamasit.

Sipas gazetës Haaretz, Kabineti i Sigurisë së Izraelit do të mblidhet të shtunën në orën 22:00 me orën lokale për të diskutuar përgjigjen e Hamasit dhe të ardhmen e luftës në Gaza.

Tel Avivi vlerëson se në Gaza ndodhen rreth 50 pengje, përfshirë 20 që dyshohet se janë ende gjallë. Nga ana tjetër, më shumë se 10.400 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përballë torturave, urisë dhe neglizhencës mjekësore që kanë shkaktuar vdekjen e shumë prej tyre, sipas raportimeve të organizatave për të drejtat e njeriut palestineze dhe izraelite.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us