Kulturë
3 minuta leximi
Marangozi turk realizon ëndrrën duke ndërtuar makinë nga trungu
Marangozi Adem Say ngriti një punishte në një cep të kopshtit të restorantit të tyre familjar, ku ai përpunon copa druri dhe i kthen ato në objekte dekorative.
Marangozi turk realizon ëndrrën duke ndërtuar makinë nga trungu
Marangozi turk realizon ëndrrën duke ndërtuar makinë nga trungu
2 Mars 2025

Marangozi Adem Say nga Alanya të provincës bregdetare turke Antalya, i mahnit ata që e shohin atë me makinën që ai ka ndërtuar për të përmbushur ëndrrën e tij të fëmijërisë duke gdhendur një trung dhe duke e pajisur me motor.

Marangozi Adem Say ngriti një punishte në një cep të kopshtit të restorantit të tyre familjar, ku ai përpunon copa druri dhe i kthen ato në objekte dekorative.

Say këtu bën sende druri si tavolina, karrige, varëse, tabaka, pjata dhe motoçikleta, ndërsa makinën të cilën e ëndërronte që nga mosha dhjetëvjeçare e ka bërë realitet duke e përpunuar atë në një trung druri që gjeti në natyrë.

Për Anadolu, Say thotë se profesionin e marangozit e ka filluar si nxënës në moshën dhjetëvjeçare, duke theksuar se gjithnjë ka qenë i interesuar për gdhendjen në dru. "Bëj shtëpi dhe bungalo druri. Kur nuk jam i zënë me punë, më pëlqen të bëj prodhime artizanale nga degët e pemëve dhe trungjet në punishten që kam hapur pranë biznesit tonë familjar. I përpunoj copat e pemëve dhe më pas i ekspozoj para biznesit tonë në anë të rrugës që njerëzit t'i shohin".

Tre vjet punë

Say shpjegoi se në punishten e tij solli një trung të madh që pa në natyrë rreth tre vjet më parë.

"Mu deshën 3 vjet për të bërë një makinë nga druri, gjë e cila ishte ëndrra ime e fëmijërisë. Gdhenda trupin e një trungu të vetëm, pastaj nisa në pjesët e motorit. Provova motorë të ndryshëm. E kisha të pamundur të vendosja çdo motor në trung. Në fund e përshtatëm një motor, e vendosëm dhe u bë. Ka ende punë për të bërë, por mund ta drejtoj dhe të shëtis me makinën", shprehet Say.

Ai tha se disa persona kanë dashur ta blejnë automjetin e tij, por ai ka refuzuar ofertat, duke u thënë se "nuk mund ta shiste ëndrrën e tij për para".

Say tha se e makina i ka kushtuar rreth 300 mijë lira (rreth 7.800 euro) dhe se ka marrë oferta tre herë më shumë se kjo shumë. "Mendoj se do të jetë një dhuratë e bukur që do t'ua lë fëmijëve dhe nipërve të mi. Dua që ata të shohin se gjyshi i tyre ka bërë makinë. Edhe familja ime ka kontribuar shumë për këtë makinë. E kemi bërë nga buxheti i familjes. Pa mbështetjen e tyre nuk mund ta bëja këtë makinë", shtoi Say.

Ëndrra tjetër është të bëj një aeroplan

Say deklaroi se e do punën e tij dhe tha se për të nuk ka rëndësi nëse veprat e tij shiten apo jo.

Duke bërë të ditur se nuk i pëlqen të punojë me mjete teknologjike dhe se nuk mund të ketë një qasje të tillë, Say theksoi se beson që produktet e drurit duhet të bëhen me dorë dhe se më së shumti përdor sqeparin.

Say thotë ndihet i trishtuar kur sheh trungjet e pemëve që digjen dhe se kur shikon trungjet, ndonjëherë sheh tryezë, ndonjëherë një zogj, në vend të një peme.

Marangozi Say deklaroi se ka në plan të vazhdojë profesionin deri në fund të jetës dhe shtoi se ëndrra e tij e re është të bëjë një aeroplan nga druri.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us