Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se do ta ngrenë zërin më fort se kurrë kundër situatës në Rripin e Gazës, ku Izraeli vazhdon gjenocidin e tij.
Sanchez ndau një postim në llogarinë e tij zyrtare në X me rastin e përvjetorit të parë të njohjes zyrtare të shtetit të Palestinës nga Spanja.
"Ka kaluar një vit që kur Palestina u njoh si shtet. Dhimbja në Gaza është e padurueshme. Spanja do të vazhdojë ta ngrejë zërin e saj më fort se kurrë për t'i dhënë fund masakrës që bota po dëshmon sot", deklaroi Sanchez.
Tragjedia humanitare në Rripin e Gazës ku Izraeli vazhdon sulmet e tij, do të jetë çështja prioritare për kryeministrin spanjoll, i cili do të takohet sot në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pritet që kërkesat për sanksione kundër Izraelit do të jenë edhe në axhendën gjatë takimit që Sanchez do të zhvillojë nesër në Madrid me kryeministrin slloven, Robert Golob.
Parlamenti spanjoll më parë mori vendim që të votojë urgjentisht projektligjin që përfshin zbatimin e embargos së armëve ndaj Izraelit.