Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje liderëve të NATO-s të përdorin të njëjtën vendosmëri të treguar në marrëveshjen në konfliktin Izrael-Iran edhe në arritjen e dy armëpushimeve të tjera, në Ukrainë dhe në Gaza.
Duke folur me gazetarët në fund të samitit të NATO-s në Hagë, Meloni tha se bisedoi me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, në lidhje me armëpushimin e fundit midis Izraelit dhe Iranit.
"Qëllimi ynë është një marrëveshje. Dhe e njëjta vendosmëri është e nevojshme për të arritur dy armëpushime të tjera, në Ukrainë ku Rusia nuk ka ndërmend të ecë përpara dhe në Gaza ku situata është e paqëndrueshme”, tha Meloni.
Kryeministrja italiane theksoi se të gjithë liderët e tjerë e kuptuan se sa më e lehtë do të ishte tani të arrihej një armëpushim në Gaza.
“Mendoj se të gjithë e kuptojnë se ky është momenti në të cilin mund të arrihet një armëpushim në Gaza dhe Italia është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij objektivi”, tha Meloni.
Ajo shtoi se Italia gjithashtu e solli fokusin në samit në krahun jugor të aleancës së mbrojtjes.
“U përpoqa t’u shpjegoja kolegëve kërcënimet. Ne e shohim Rusinë që po projektohet gjithnjë e më shumë në Mesdhe (pasi humbi terren në Siri). Bota po ndryshon dhe mbrojtja po ndryshon gjithashtu”, tha Meloni,
Në samit, liderët e NATO-s përsëritën mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, vetëmbrojtjen dhe industrinë e saj të mbrojtjes, si dhe ruajtjen e presionit ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja.
Anëtarët e NATO-s gjithashtu ranë dakord të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe ripohuan angazhimin e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet.
Në deklaratën e saj përfundimtare, NATO miratoi një objektiv më të lartë të shpenzimeve të mbrojtjes prej 5 për qind të prodhimeve kombëtare deri në vitin 2035, një përgjigje ndaj kërkesave të Trumpit dhe frikës së evropianëve se Rusia mund të paraqesë një kërcënim në rritje për sigurinë e tyre.