BOTA
2 minuta leximi
Trump: Bisedimet me Iranin javën e ardhshme, luftimet mund të rifillojnë "një ditë"
Presidenti amerikan tha se sulmet goditën objektet bërthamore iraniane aq "fuqishëm" dhe "shpejt" sa Irani nuk arriti të zhvendoste materialet bërthamore, duke pretenduar se programi "u hodh në erë deri në qiell"
Trump: Bisedimet me Iranin javën e ardhshme, luftimet mund të rifillojnë "një ditë"
Trump: Bisedimet me Iranin javën e ardhshme, luftimet mund të rifillojnë "një ditë" / AA
25 Qershor 2025

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se Irani dhe Izraeli janë "të rraskapitur" pas përleshjeve "të ashpra" dhe "të dhunshme", por paralajmëroi se konflikti mund të rifillojë "një ditë".

"Mendojmë se është mbyllur. Nuk besoj se do të hakmerren më mes veti", tha Trump para gazetarëve në samitin e NATO-s në Hagë.

Megjithatë, Trump pranoi pasigurinë rreth paqes së qëndrueshme: "A mund të rifillojë? Besoj se po, një ditë. Ndoshta edhe së shpejti."

Ai pohoi se lufta në fakt përfundoi kur forcat amerikane sulmuan objektet bërthamore iraniane.

"Besoj se lufta në thelb përfundoi kur me avionë goditëm disa vendndodhje bërthamore", tha ai.

Trump deklaroi se sulmet amerikane i goditën objektet bërthamore iraniane aq "fuqishëm" dhe "shpejt" sa që Irani nuk kishte kohë të zhvendoste materialin bërthamor, duke pretenduar se programi "u hodh në erë deri në qiell".

Ai iu referua një raporti të Komisionit izraelit për energji atomike, në të cilin thuhet se sulmet amerikane "e kanë kthyer shumë vite prapa aftësinë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore".

Trump tha se operacioni jo vetëm që e ka dëmtuar programin bërthamor iranian, por gjithashtu ka "konfirmuar besueshmërinë e fuqisë frenuese amerikane".

Ai gjithashtu njoftoi se bisedimet me Iranin janë caktuar për javën e ardhshme, me mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje.

Megjithatë, shtoi: "Nuk mendoj se është edhe aq e domosdoshme."

Presidenti amerikan tha se Irani "po kthehet në realitetin e vet" pas luftës dhe shtoi: "Nuk më intereson nëse kemi një marrëveshje apo jo".


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us