Kulturë
3 minuta leximi
Mjeshtri i bastunëve ruan artin e trashëguar prej tre brezash
Me banim në qytezën Adilcevaz, Birol, një Artist Shtetëror i Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit, e filloi praktikimin e këtij arti si nxënës pranë gjyshit dhe babait të tij që në fëmijëri.
Mjeshtri i bastunëve ruan artin e trashëguar prej tre brezash
Mjeshtri i bastunëve ruan artin e trashëguar prej tre brezash
1 Mars 2025

Cumali Birol, një mjeshtër i bastunëve nga qyteti Bitlis në Türkiye, i cili ka marrë çmimin “Thesar i gjallë njerëzor” nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, e mban gjallë këtë art si përfaqësuesi i gjeneratës së tretë të familjes së tij, e cila prej 120 vitesh prodhon bastunë.

Me banim në qytezën Adilcevaz, Birol, një Artist Shtetëror i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, e filloi praktikimin e këtij arti si nxënës pranë gjyshit dhe babait të tij që në fëmijëri.

Mjeshtri 60-vjeçar Birol i mësoi të gjitha detajet e prodhimit të bastunëve gjatë kësaj periudhe, ndërsa e ushtroi artin e tij në punishten prej 70 metrash katrorë që ata hapën në qytezë.

Me mjeshtërinë e tij prej vitesh, Birol i bën bastunët në forma të ndryshme, duke integruar drurin e arrës me brirët e buallit, dashit dhe lopës, ndërkohë që mbi dizajnet e tij aplikon edhe arte të ndryshme, si gdhendjen, artin me bojëra vaji "Ebru", apo artin dekorativ "kakma" përmes procesit të gdhendjes së materialeve të tilla si perla, mermeri, ari, fildishi, kocka, metali, si dhe vendosjes së pjesëve të prera me të njëjtën formë në vrima të hapura.

Duke dizajnuar mbi 80 bastunë me motive selxhuke dhe osmane dhe duke i dekoruar me smerald, rubin dhe perla, Birol është bërë një nga pionierët e këtij arti.

Për Anadolu, Birol theksoi se profesionin për bërjen e shkopinjve të bastunit e ushtrojnë prej 120 vitesh si familje dhe se ai po e vazhdon këtë art si brezi i tretë.

Birol deklaroi se deri më sot ka dizajnuar mbi 80 shkopinj në forma të ndryshme.

“Ne jemi përpjekur të punojmë motivet artizanale selxhuke, osmane dhe tradicionale turke që kanë mbijetuar deri në ditët tona. Edhe Ebru është një nga artet tradicionale të punimit me dorë. Në festivalin e mbajtur në Antalya në vitin 2005 u njoha me Fuat Başar, mjeshtrin e kaligrafisë dhe artit Ebru. Artin Ebru e kisha parë në televizion, por e ndesha për herë të parë atje. Kam parë për orë të tëra se si bëhej”, tregon ai.

"Bastunët që dekoruam me Ebru tërhoqën vëmendje të madhe"

Ndër të tjera, Birol shpjegoi se ai u kthye në qytezë pas festivalit dhe bëri kërkime mbi artin Ebru dhe se u përpoq të aplikonte Ebrunë në shkopinj duke përdorur metodën e provës dhe gabimit dhe se kur e perfeksionoi atë, dolën rezultate shumë të veçanta.

Ai shpjegoi se mbi bastunët ka përpunuar modele në forma të tilla si tulipanë, margarita, paisley dhe "foleja e bilbilit" dhe ua ka prezantuar ato njerëzve.

“Bastunët që kemi zbukuruar me Ebru tërhoqën vëmendje të madhe. Kur bëjmë bastunë përdorim drurët e arrave, brirë të buallit, lopës dhe dashit. Jemi të shqetësuar, sepse duam ta mbajmë gjallë këtë art. Nga presidenti ynë kam marrë çmimin 'Thesar i Gjallë Njerëzor'. Ndërkohë, edhe ministria gjithashtu na monitoron për të parë nëse e ruajmë apo jo vazhdueshmërinë, inovacionin dhe tradicionalen. Nga arti ynë mahniten vizitorët vendas edhe të huaj që vijnë. Pas çmimit që morëm, jemi fokusuar edhe më shumë në punën tonë. Mendojmë se si ta avancojmë edhe më tej artin. I kemi kushtuar zemrën dhe dashurinë kësaj pune”.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us