Një sulmues vetëvrasës shpërtheu veten të dielën brenda një kishe të mbushur me besimtarë në kryeqytetin e Sirisë, Damask, njoftuan televizioni shtetëror dhe një organizatë që monitoron luftën.
Shpërthimi ndodhi në zonën Dweil’a, në periferi të Damaskut, teksa njerëzit po luteshin brenda Kishës Mar Elias.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka të paktën 30 të plagosur dhe të vrarë, megjithatë numri i saktë ende nuk është konfirmuar.
Ky ishte sulmi i parë i këtij lloji në Siri pas disa vitesh. Forcat e sigurisë dhe ekipet e emergjencës u drejtuan menjëherë drejt vendngjarjes.
Një dëshmitar okular, në një video që u shpërnda gjerësisht në internet, tha se sulmuesi hyri në kishë dhe filloi të qëllonte mbi të pranishmit, përpara se të aktivizonte një jelek shpërthyes që mbante veshur.