RAJONI
1 minuta leximi
Policia e Kosovës zbulon arsenal armësh në Zveçan
Sipas informacioneve të pranuara nga Sveçla, armët janë gjetur në një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijevic.
Policia e Kosovës zbulon arsenal armësh në Zveçan
Policia e Kosovës zbulon arsenal armësh në Zveçan / TRT Balkan
22 Qershor 2025

Njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe prokurorinë, e me monitorim nga KFOR-i dhe EULEX-i, kanë zhvilluar sot një bastisje në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se gjatë operacionit është zbuluar një sasi e konsiderueshme armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tromblonë, armë të tjera dhe municion të llojeve të ndryshme, një arsenal i tërë që, sipas tij, do të mjaftonte për një njësi terroriste.

Sipas informacioneve të pranuara nga Sveçla, armët janë gjetur në një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijevic.

“Krymi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Institucionet tona po punojnë pandalshëm për të garantuar sigurinë dhe sundimin e rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës,” theksoi ministri Sveçla.

Ai shtoi se aksionet për çrrënjosjen e strukturave kriminale dhe terroriste të mbështetura nga Serbia do të vazhdojnë pa ndalur.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us