Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria mbështet përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, sipas tij, në "ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore".
Në një reagim në rrjetet sociale mbi sulmin e SHBA-së ndaj Iranit, Rama duke iu referuar Iranit është shprehur se ky nuk është thjesht një tjetër shtet me kapacitete bërthamore, por sipas tij është një teokraci.
"(Irani) është një teokraci, pajisur me një retorikë apokaliptike, e ngulitur në një traditë shtatëdhjetëvjeçare të etiketimit të kombeve të lira si 'satanike' dhe që bën thirrje të hapura për zhdukjen e tyre. Në çdo drejtim, ky është një përjashtim i rrezikshëm, ndryshe nga çdo shtet tjetër që disponon armë bërthamore, pavarësisht sistemit të tij politik", ka shkruar Rama.
Duke iu referuar sulmeve të ShBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, Rama ka shkruar se "Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi teokratik brutal dhe një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i ShBA-së, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e presidentit Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore".
Kujtojmë se ShBA-ja ka hedhur bomba shkatërruese bunkerësh në objektin bërthamor Fordow në Iran dhe ka kryer dhjetëra sulme me raketa nga nëndetëset në dy lokacione të tjera, duke shënjestruar programin bërthamor të Iranit.