Ushtria e Izraelit ka konfirmuar se ShBA-ja është koordinuar me Izraelin në kryerjen e sulmeve ajrore ndaj lokacioneve bërthamore iraniane.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin, tha se sulmet amerikane që shënjestruan tre lokacione bërthamore në Iran u kryen “në koordinim me ushtrinë izraelite”.
Defrin theksoi se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Eyal Zamir, ka qenë “në kontakt të vazhdueshëm” me kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së dhe me kreun e Komandës Qendrore të ShBA-së (CENTCOM) që nga fillimi i fushatës ushtarake kundër Iranit.
“Ne po përgatitemi për mundësinë që beteja të vazhdojë. Duhet të jemi të gatshëm për çdo zhvillim dhe jemi të vendosur të arrijmë qëllimet e këtij operacioni”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite.
Duke komentuar për raketat iraniane të lëshuara në Izraelin qendror dhe verior sot në mëngjes, Defrin akuzoi Teheranin se vazhdon të shënjestrojë zonat civile pavarësisht se është “dobësuar”.
Sipas tij, mbi 20 raketa u lëshuan gjatë sulmeve të mëngjesit, shumica e të cilave u kapën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore "shumë të suksesshme" në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.
Pas sulmeve të SHBA-së, Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të dënuar agresionin e SHBA-së dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.