Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, testoi të shtunën modelin më të ri të sedanit T10F, prodhim i kompanisë kombëtare të automjeteve elektrike Togg, duke theksuar praninë në rritje të Türkiyes në industrinë globale të automjeteve elektrike.
Presidenti Erdoğan ishte i shoqëruar nga presidenti i Unionit të Dhomave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Türkiyes (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, kryetari i Grupit Anadolut, Tuncay Özilhan, kryetari i Zorlu Holding, Ahmet Nazif Zorlu, kryetari i bordit të Turkcell, Şenol Kazancı dhe kryetari i Tosyalı Holding, Fuat Tosyalı.
Ngjarja vjen në një kohë kur Türkiye po ngjitet me shpejtësi në renditjet e tregjeve globale të automjeteve elektrike.
“Një histori suksesi”
Së fundmi, Türkiye është bërë tregu i tetë më i madh në botë për shitjen e makinave elektrike në vitin 2024, falë rritjes së prodhimit të brendshëm, rrjetit në zgjerim të stacioneve të karikimit dhe stimujve të mbështetur nga shteti, sipas grupit kërkimor britanik New AutoMotive.
Vitin e kaluar, Türkiye regjistroi 123.982 shitje të automjeteve elektrike. Vetëm në prill 2025, vendi u rendit i shtati në nivel global me 11.173 njësi të shitura, duke lënë pas Norvegjinë dhe Italinë dhe duke u bërë tregu kryesor i EV-ve ndër vendet e Mesdheut. Dhjetori 2024 shënoi muajin me shitjet më të larta të EV-ve në Türkiye, me 17.894 njësi të shitura, duke e renditur të gjashtin globalisht atë muaj.
New AutoMotive e përshkroi këtë rritje të Türkiyes si një “histori suksesi”, duke vënë në dukje se pjesa e tregut të automjeteve elektrike me bateri (BEV) ka kaluar 10 përqind për tetë muaj radhazi.
Përhapja e shpejtë e automjeteve elektrike në Türkiye shihet si një shtyllë kyçe e agjendës së saj për transformimin e gjelbër, me Togg që luan një rol qendror në formësimin e së ardhmes së automobilizmit në vend.