Bordi Ndërkombëtar i Federatës së Futbollit (IFAB) ka publikuar ndryshime të reja në rregulloren e lojës, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 1 korrik, përfshirë një rregull të ri që synon t'i ndalojë vonesat e qëllimshme nga portierët.
Sipas broshurës së publikuar në faqen zyrtare të IFAB-it, një portier do të lejohet ta mbajë topin në duar për një maksimum prej tetë sekondash.
Nëse portieri e tejkalon këtë kohë, gjyqtari do të japë një numërim të dukshëm prej pesë sekondash dhe më pas do t’i japë ekipit kundërshtar një goditje nga këndi.
Sipas rregullit të mëparshëm, portieri duhej ta lëshonte topin brenda gjashtë sekondave, përndryshe jepeshin goditje e lirë e tërthortë për kundërshtarin, por ky rregull rrallëherë zbatohej nga gjyqtarët.
Sipas rregullave të reja, nuk do të ketë më goditje të lirë e as ndëshkim disiplinor nëse një zyrtar i ekipit, lojtar zëvendësues, i zëvendësuar, i përjashtuar ose që ndodhet përkohësisht jashtë fushës prek topin gjatë daljes së tij nga fusha, për aq kohë sa nuk ka qëllim për ndërhyrje të padrejtë.
Po ashtu, ka një shtesë të re në protokollin e VAR-it (Asistenti i Videove të Gjyqtarit). Nga tani, gjyqtarët do të mund të bëjnë njoftime për publikun pas një rishikimi ose kontrolli të zgjatur të VAR-it.
Broshura përfshin edhe një udhëzim të ri që përcakton se vetëm kapiteni i ekipit mund të flasë me gjyqtarin në disa situata specifike.