LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Sondazh: Shumica e danezëve besojnë se veprimet e Izraelit në Gaza kanë shkuar 'shumë larg'
Pothuajse gjysma e të anketuarve, 49 për qind, besojnë se Bashkimi Evropian duhet të pezullojë marrëveshjen e asociimit me Izraelin, e cila është nënshkruar në vitin 2000 për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
Sondazh: Shumica e danezëve besojnë se veprimet e Izraelit në Gaza kanë shkuar 'shumë larg'
Sondazh: Shumica e danezëve besojnë se veprimet e Izraelit në Gaza kanë shkuar 'shumë larg' / AA
7 Korrik 2025

Kundërshtimi publik ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza po rritet në Danimarkë, ku pothuajse 57 për qind e danezëve tani thonë se veprimet kanë qenë "të tepruara", sipas një ankete të re të kryer nga Epinion për transmetuesin danez DR.

Anketa tregon një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e publikut gjatë nëntë muajve të fundit. Tetorin e kaluar, 45 për qind e të anketuarve shprehën të njëjtën shqetësim.

Njëkohësisht, gjithnjë e më pak njerëz hezitojnë ta shprehin qëndrimin e tyre. Vetëm 6 për qind e danezëve thonë se nuk duan të shprehen mbi këtë çështje, nga 13 për qind që ishin vitin e kaluar.

Ndërkohë, përqindja e atyre që e konsiderojnë reagimin ushtarak të Izraelit si "të përshtatshëm" apo "të kufizuar" ka mbetur pothuajse e pandryshuar që nga vjeshta.

Thirrje për pezullimin e marrëveshjes BE-Izrael

Anketa gjithashtu zbulon rritje të mbështetjes për veprim politik. Pothuajse gjysma e të anketuarve, 49 për qind, besojnë se Bashkimi Evropian duhet ta pezullojë marrëveshjen e asociimit me Izraelin, e cila është nënshkruar në vitin 2000 për ta promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Vetëm 22 për qind e kundërshtojnë një veprim të tillë.

Marrëveshja i garanton Izraelit privilegje tregtare, ndërsa e detyron t'i respektojë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Anketa është zhvilluar me 1.005 pjesëmarrës përfaqësues dhe ka një margjinë gabimi prej 3,1 për qind.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka ndjekur një luftë gjenocidale në Gaza, duke vrarë më shumë se 57.400 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi në nëntor urdhërarreste për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us