RAJONI
2 minuta leximi
Qytetarët në Kosovë protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Dy orë pas mbledhjes së ZRRE-së, në protestën qytetarë të filluar nga nisma “Asnjë cent ma shumë”, u tha se do të ngrenë padi kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, por edhe do t’i vazhdojnë edhe më tej protestat.
Qytetarët në Kosovë protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Qytetarët në Kosovë protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike / TRT Balkan
11 Prill 2025

Qindra qytetarë të Kosovës janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke marshuar deri te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ta shprehur revoltën e tyre kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në vend. 

Dy orë pas mbledhjes së ZRRE-së, në protestën qytetarë të filluar nga nisma “Asnjë cent ma shumë”, u tha se do ta do të ngrenë padi kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, por edhe do t’i vazhdojnë edhe më tej protestat.

“Nuk jemi bankomat”, “Energjia nuk është luks, është nevojë”, “Nuk shlyhet padrejtësia me kilovatë”, “Stop vjedhjes me tarifa”, si dhe parulla të tjera u shfaqën gjatë protestës ku qytetarët brohoritën mesazhe të ndryshme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Aktivisti Ali Sefaj nga grupi organizator i protestës tha se padinë do ta dorëzojnë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ne besojmë që ai vendim që në mënyrë tinëzare e ka nxjerrë dhe nuk e kanë publikuar duke mos treguar sa do të jetë ngritja e çmimit të energjisë, do t’u mbetet në sirtar, sepse Gjykata Themelore në Prishtinë do ta vendosë masën e sigurisë, duke ua lënë atë vendim në sirtar, sepse ai vendim është i paligjshëm dhe nuk do ta lejojmë jetësimin e atij vendimi”, theksoi Sefaj.

Bordi i ZRRE-së miratoi të hyrat maksimale të lejuara për operatorët e energjisë, duke nënkuptuar rrjedhimisht edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas asaj që u miratua në mbledhje, shifrat janë të ngjashme me ato që ishin në propozim, por që nga bordi thanë se javën e ardhshme do të njoftojnë se sa për qind është shtrenjtuar energjia elektrike.

ZRRE-ja javë më parë propozoi që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us