Është shtyrë për herë të dytë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), intervistimi i kryetarit të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Zlatan Elek.
Elek planifikohej të raportonte sot në Prokurori në orën 13:30, por intervista e tij u shtye për arsye shëndetësore të avokatit të kreut të Listës Serbe, siç konfirmoi për Anadolu zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Luta bëri të ditur se intervistimi i kreut të partisë serbe lidhet me rastin e vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, gjatë vitit 2022.
"Elek është ftuar për intervistim në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar në rastin e vendosjes së barrikadave në pjesë veriore në vitin 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese", deklaroi ajo.
Intervistimi i tij për herë të parë ishte shtyrë më 4 qershor të këtij viti, atëherë kur u paralajmërua se procesi do të mbahet në një datë tjetër brenda qershorit.
Ndaj Elekut dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj partie po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se kryen sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit, në vitin 2022.
Gjatë fillimit të qershorit gjithashtu, Igor Simiq, zyrtar i lartë i Listës Serbe, deklaroi se bashkë me kryetarin Elek dhe Sllavko Simiqin, që të tre deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë nën hetime për përfshirje në sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra tjera penale që lidhen me protestat e dhjetorit të vitit 2022 në veri.
Në veri të Kosovës, më 10 dhjetor të vitit 2022 u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të ish-zyrtarit policor serb Dejan Pantiq, i cili u akuzua nga autoritetet e Kosovës për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Barrikadat në veri, të cilat pengonin qarkullimin e lirë të automjeteve, u hoqën pas thirrjes së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi Pantiqit iu ndërrua masa në arrest shtëpiak.
Barrikadat në veri erdhën në një kohë kur serbët ishin larguar për herë të parë nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022, me iniciativën e Listës Serbe si kundërpërgjigje e vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zëvendësimin e targave ilegale serbe të automjeteve, me ato legale të Republikës së Kosovës.