Sot do të mbahet vazhdimi 52-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, seancë që është e fundit para afatit të dhënë nga gjykata kushtetuese e Kosovës, e cila përmes një aktgjykimi më 26 qershor ka obliguar deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës deri më 26 korrik.
Ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë sot në vazhdimin 52-të konstituive në Kuvendin e Kosovës.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njoftoi të premten se duke pasur parasysh se është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Jorn Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të merr pjesë në seancën në parlament.
Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.
Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Vazhdimi i 51-të i seancës më 23 korrik, u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj dhe nuk e hodhi në votim formimin e komisionit të fshehtë, duke caktuar 25 korrikun si datë për vazhdimin e radhës nga ora njëmbëdhjetë.
Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi më 26 qershor ka obliguar deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës deri më 26 korrik.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar të martën nga Kushtetuesja t’i vendosë masë të përkohshme rrjedhjes së këtij afati.