POLITIKË
1 minuta leximi
Macron: Ndryshimi i regjimit në Iran me forcë do të ishte një “gabim strategjik”
Presidenti francez paralajmëroi të hënën se përpjekjet për të ndryshuar regjimin në Iran përmes forcës do të përbënin një "gabim strategjik", duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ndaj civilëve në Iran dhe Izrael.
Macron: Ndryshimi i regjimit në Iran me forcë do të ishte një “gabim strategjik”
Macron: Ndryshimi i regjimit në Iran me forcë do të ishte një “gabim strategjik” / Reuters
17 Qershor 2025

Duke folur për gazetarët në samitin e G7-ës në Kanada, Emmanuel Macron u shpreh kundër ndërhyrjeve ushtarake nga jashtë, duke thënë se ato nuk kanë sjellë kurrë stabilitet.

“Ata që besojnë se një vend mund të shpëtohet me bombardime nga jashtë, pavarësisht dhe kundër vetë tij, kanë gabuar gjithmonë”, tha ai.

Macron gjithashtu dënoi ashpër sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe kulturore.

“Është absolutisht e domosdoshme që të ndalojnë menjëherë të gjitha sulmet nga të dyja anët, ndaj infrastrukturës energjetike, administrative, kulturore dhe, sidomos, ndaj civilëve. Asgjë nuk i justifikon, ato janë të patolerueshme”, theksoi ai.

Në të njëjtën ditë, komunikata zyrtare e G7-ës e cilësoi Iranin si “burimin kryesor të paqëndrueshmërisë dhe terrorizmit në rajon”, në një kohë kur tensionet janë përshkallëzuar lidhur me aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Përplasjet u intensifikuan pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore në Iran të premten, çka nxiti kundërsulme raketore nga Teherani.

Sipas autoriteteve izraelite, të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet iraniane, ndërsa Irani deklaron mbi 224 të vdekur dhe mbi 1.000 të plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us