RAJONI
2 minuta leximi
Toshkovski dhe Sveçla paralajmërojnë ‘One Stop Shop’ edhe në Jazhincë
Në takim, përveç vlerësimit të zbatimit të sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar në pikën kufitare Bllacë-Elez Han, është diskutuar edhe koordinimi për hapat e ardhshëm për ta forcuar më tej lidhjen ndërkufitare midis dy vendeve.
Toshkovski dhe Sveçla paralajmërojnë ‘One Stop Shop’ edhe në Jazhincë
Toshkovski dhe Sveçla paralajmërojnë ‘One Stop Shop’ edhe në Jazhincë / AA
17 Prill 2025

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka qëndruar për një vizitë pune në Prishtinë, ku është pritur në takim nga homologu i tij kosovar, Xhelal Sveçla, me të cilin kanë vlerësuar zbatimin e sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar në pikën kufitare Bllacë-Elez Han.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në takim, përveç vlerësimit të zbatimit të sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar në pikën kufitare Bllacë-Elez Han, është diskutuar edhe koordinimi për hapat e ardhshëm për ta forcuar më tej lidhjen ndërkufitare midis dy vendeve.

“Faza tjetër e këtij bashkëpunimi është zbatimi i sistemit në pikën kufitare Jazhincë-Glloboçicë, që duhet të realizohet në periudhën e ardhshme”, tha Toshkovski në takim.

Sistemi i kontrollit të përbashkët kufitar, theksoi Toshkovski, për pasagjerët ofron një kontroll në vend të dy kontrolleve, pritje më të shkurtra dhe përvojë më të mirë, ndërsa për shërbimet ofron punë më efikase, koordinim më të mirë dhe luftë e fuqishme kundër aktiviteteve ilegale.

“Kjo për dy vendet tona është kapitull i ri i lidhjes me transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi”, theksoi Toshkovski.

Në takim u shqyrtua edhe bashkëpunimi aktual mes dy ministrive dhe forcave policore, si dhe mundësia e përmirësimit të tij në fushën e shkëmbimit të informacionit dhe luftës kundër krimit që nuk njeh kufij.

Të shtunën e kaluar, Maqedonia e Veriut dhe Kosova përmes një ceremonie me praninë e kryeministrave të dy vendeve zyrtarisht lëshuan në përdorim sistemin e kontrollit të përbashkët kufitar në vendkalimin Bllacë-Elez Han, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare, reduktimin e kohës së pritjes dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve kufitare.

Aktualisht, dy vendet kanë tri pika kufitare, por deri më tani pika kryesore dhe më e frekuentuara ka qenë ajo në Bllacë që lidhet me autostradën "Arbër Xhaferi".


BURIMI:TRT Balkan
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us