Turizmi në Shqipëri po përjeton një rritje të vazhdueshme, jo vetëm në numrin e vizitorëve të huaj, por edhe në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në vend.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT për muajin prill 2025 tregojnë se netqëndrimet e regjistruara në strukturat akomoduese u rritën me 23 për qind, krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Kjo dëshmon se vizitorët po zgjedhin të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri.
Sipas statistikave, pjesa më e madhe e vizitorëve që qëndruan në struktura pritëse në prill 2025 erdhën nga Italia (16 për qind), Kosova (14 për qind) dhe Gjermania (8 për qind). Po ashtu, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar përfaqësonin përkatësisht 7 për qind dhe 6 për qind të vizitorëve, ndërsa pjesa tjetër prej 49 për qind ishin nga vende të tjera.
Këto të dhëna konfirmojnë një prirje në rritje të turizmit hyrës, veçanërisht nga tregjet kryesore të rajonit dhe vende të ndryshme të Evropës.
INSTAT thekson se gjatë kësaj periudhe, fluksi turistik është përqendruar kryesisht në zonën qendrore të vendit, ndërsa rritja më e lartë e vizitorëve jorezidentë është regjistruar në rajonet jobregdetare, me një rritje prej 8,5 për qind. Kjo lidhet me faktin se periudha përfshin muajt e dimrit dhe pranverës, kur interesimi për destinacione të brendshme është më i lartë.