Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar mbi 120 civilët e vrarë shqiptarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan, në përvjetorin e 26-të të ngjarjes.
Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale tha se "forcat e armatosura të Serbisë mëngjesin e 14 majit të vitit 1999 hynë në fshatin Qyshk dhe në fshatrat përreth për t'i vrarë civilët shqiptarë".
“Ishin rreth 100 pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë, të maskuar dhe të kamufluar. Pasi i dëbuan me dhunë banorët nga shtëpitë, ua grabitën paratë dhe stolitë e arit, si dhe shkatërruan dokumentet e tyre personale duke i grisur dhe djegur. Për këto krime të rënda, dëbimet e civilëve shqiptarë, shkatërrimet e pronave, vrasjet dhe plaçkitjet gjatë zhvendosjes së dhunshme, drejtësia deri tani ka qenë shumë e ngadaltë”, shkroi Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se të gjitha krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, së bashku me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të vihen para drejtësisë.
“Për to duhet të japë përgjegjësi drejtpërdrejt shteti i Serbisë. Kosova nuk mund dhe nuk do t'i harrojë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës. Populli ynë ka mbijetuar dhe qëndron i fortë e krenar”, u shpreh Kurti.
Më tej, ai tha se Kosova po forcohet çdo ditë “si jetësim i idealit të dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë” e Kosovës.
Vrasjet në këto fshatra i kujtoi gjatë ditës edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se civilët e vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan u "vranë vetëm pse ishin shqiptarë”.